Zëvendëskryeministri i Kosovës Glauk Konjufca është deklaruar nga Haga, lidhur me luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai tha se Gjykata Speciale po tenton shtrembërimin e historisë së luftës së drejtë të UÇK-së.
“Ne patëm kritikën tonë për këtë gjykatë, gjykatë që fokusin e kishte padrejtësisht në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe unë jam këtu për ta konfirmuar edhe një herë se lufta jonë, lufta e popullit tonë, ishte luftë e drejtë, e pastër, ka qenë luftë mbrojtëse, nuk ka qenë qëllimi i kësaj lufte sulmi i një populli tjetër, targeti i vetëm i uniformave të UÇK-së ka qenë policia dhe ushtria serbe, njerëzit e uniformuar okupatorë që bënë gjenocidin në Kosovë”, tha Konjufca.
Konjufca është shprehur i bindur se ish-krerët e UÇK-së do të lirohen. Pak para nisjes së seancës gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ku do të marrë pjesë edhe vetë Konjufca, ai tha se e vërteta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të triumfojë.
“Verdikti final do të jetë në përputhje me historinë dhe të vërtetën e luftës së UÇK-së”, tha ai.


