Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca deklaroi se ekipi menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të vazhdojë punën, me përbërjen që ka aktualisht.
Sipas tij, në këtë ekip duhet të përfshihen qytetarë të Kosovës që përfaqësojnë interesin e Kosovës e jo deputetë të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që përfaqësojnë interesat e Serbisë.
Konjufca u shpreh se tanimë po pret t’i shohë hapat që do të ndërmarrë ekzekutivi i Kosovës karshi papërgjegjësisë të ekipit menaxhues.
“Një institucion i cili e konsideron vetën që është i Republikës së Kosovës duhet të veprojë sipas Kushtetutës, ligjeve tona dhe sipas interesit tonë shtetëror. Nëse një institucion nuk është i Kosovës, në kuptimin e sjelljes së tij, mban qëndrime që nuk janë të Kosovës, por janë të Serbisë unë nuk mendoj se është interes i Kosovës të vazhdojë më ai institucion. Nuk pres ndonjë gjë të mirë prej një kryesuese të këtij ekipi menaxhues, e cila është deputete e Aleksandër Vuçiç dhe deputetja e Vuçiçit nuk mundet të shkruajë pjesë të rregullimit institucional të Kosovës.
Kjo është A,B,C e interesit tonë shtetëror dhe publik. Qasja e qeverisë ka qenë që fillimisht një sjellje institucionale vërtet e përgjegjshme, që me kërkua një llogaridhënie, një përgjegjësi nga ekipi menaxhues. Kjo përgjegjësi nuk po ndodh, kjo llogaridhënie nuk po ndodh, tani do t’i shohim hapat e tjerë të qeverisë që do të vijnë konform kësaj mospërgjegjësie të ekipit menaxherial”, theksoi ai.