Konjufca: Deputetët e Listës Serbe do të zëvendësohen, s’jemi në krizë kushtetuese

schedule13:24 - 7 Nëntor, 2022

schedule 13:24 - 7 Nëntor, 2022

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka konfirmuar se në kuvend kanë arritur shkresat e dorëheqjes së deputetëve të Listës Serbe.

Pas mbledhjes së Kryesisë, ai tha se deputetët do të zëvendësohen dhe për këtë do t’i drejtohet presidentes Vjosa Osmani.

“Ligji thotë që karakteri i dorëheqjes së tyre është i parevokueshëm, natyra e dorëheqjes së deputetëve të Listës Serbe, do ta procedojmë sipas ligjit. Ligji i Republikës së Kosovës thotë që ata duhet të zëvendësohen. Do t’i drejtohem presidentes e pastaj procedura të tjera thonë që presidentja t’i drejtohet KQZ-së, e pastaj KQZ i përgjigjet presidentes me propozimet e reja të cilat me sa e di unë prapë vijnë nga e njëjta listë, prapë vijnë nga i njëjti grup parlamentar. Nëse ata refuzojnë, tjerët të cilët janë me radhë, procedura përsëritet derisa të plotësojmë vendet e reja në kuvend”.

Konjufca më tej tha se më këto dorëheqje, nuk ka ndodh kurrfarë rrezikimi i rendit të Kushtetutës së Kosovës.

“Krejt çka ka ndodh është një dorëheqje më e madhe sepse nuk kemi pasur një të tillë kurrë në kuvendin e Kosovës. S’ka kurrfarë hendeku kushtetues, me këto dorëheqje s’preket aspak rendi kushtetues i Kosovës. Pse në kuvend përkohësisht do të jenë 110 deputetë, kjo nuk është aspak antikushtetuese, këto i parasheh kushtetua si mundësi dhe i sqaron të gjitha procedura për zëvendësimin e tyre, s’jemi në një krizë kushtetuese. Pas kësaj dorëheqje jemi në procedura normale të zëvendësimit të tyre”, tha Konjufca./Klankosova/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!