Kongresi kërkon komunikimet e Trump me Putin

schedule23:59 - 4 Mars, 2019

schedule 23:59 - 4 Mars, 2019

Ka nisur në Shtetet e Bashkuara hetimi i radhës i Kongresit amerikan mbi presidentin Trump dhe familjarët e tij, që dyshohen për pengim të drejtësisë dhe abuzim me pushtetin. Në lëvizjen e parë, tre komisione parlamentare kanë kërkuar komunikimet e Trump me presidentin rus Putin.

Demokratët në Kongresin amerikan i dhanë jetë të hënën një hetimi mbi presidentin Donald Trump, duke kërkuar të dhëna mbi komunikimet e tij me presidentin rus Vladimir Putin dhe dokumente nga 81 burime të ndryshme. Demokratët e tre komisioneve parlamentare i shkruan Shtëpisë së Bardhë dhe sekretarit të Shtetit, Majk Pompeo për të kërkuar dokumente mbi bisedimet e Trump me kreun e Kremlinit. Ligjvënësit shprehën shqetësimin për lajmet e raportuara në media se Trump kishte mbajtur shënime nga një takim me liderin rus dhe më pas ishte përpjekur t’i shkatërronte ato.

“Këto dyshime, nëse janë të vërteta, ngrenë shqetësime të thella për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme, sidomos kur ambicjet e Moskës për të influencuar në zgjedhjet amerikane janë më të qarta se kurrë”, thuhet në letrën e kongresmenëve Adam Shif, Eliot Engel dhe Elijah Kumings.

Hetimi i nisur nga komisioni gjyqësor i Dhomës së Përfaqësuesve përfshin të paktën 81 persona dhe shoqata, mes të cilëve fëmijët e presidentit Trump, dy djemtë dhe të bijën Ivanka, si dhe dhëndrin e tij Xhared Kushner. Ky është hetimi i radhës i Kongresit mbi shefin e Shtëpisë së Bardhë, që këtë herë dyshohet se ka penguar drejtësinë në hetimet mbi ndërhyrjen ruse, si dhe për korrupsion dhe abuzim me anë të detyrës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!