Me një lëvizje që mund t’i vendosë shkopin ndër rrota presidentit Trump, Kongresi amerikan ka vendosur të bëjë publike dëshmitë e klasifikuara mbi ndërhyrjen ruse. Lëvizja vjen pak kohë pasi një panel i Dhomës së Përfaqësuesve mori në pyetje ish-bashkëpunëtorin e ngushtë të Trump, Roxher Ston.
Komisioni parlamentar për shërbimet e inteligjencës në Shtetet e Bashkuara votoi të mërkurën pro publikimit të dëshmive të dhëna në Kongres mbi ndërhyrjen e supozuar ruse. Kryetari demokrat i komisionit parlamentar sqaroi se bëhet fjalë për transkriptimet e dëshmive të dhëna me dyer të mbyllura, të cilat do t’i dorëzohen hetuesit të posaçëm Robert Myler, që po heton ndikimin e Moskës në zgjedhjet presidenciale të 2016-s. “Zyra e prokurorit të posaçëm, Departamenti i Drejtësisë dhe strukturat në vartësi të tij do të mund të kenë akses në dëshmitë e transkriptuara, me qëllim lehtësimin e punës së organeve të drejtësisë”, deklaroi Adam Shift pas mbledhjes së komisionit. Njoftimi i ligjvënësit demokrat vjen pak kohë pasi komisioni mori në pyetje Roxher Ston, një aleat i hershëm i presidentit Donald Trump, që muajin e kaluar u akuzua se kishte mashtruar Kongresin. Ston u arrestua më 25 janar për arsye se nuk kishte thënë të vërtetën mbi përpjekjet e bëra në 2016-n për të përdorur informacione të vjedhura në dëm të rivales së Trump, Hillari Klinton. Aksesi në dokumentacione i mundëson prokurorit Robert Myler t’i përdorë ato për të vijuar me procedimet penale. Vitin e kaluar, për të njëjtën akuzë u vetëdeklarua fajtor ish-avokati personal i presidentit amerikan, Majkëll Kohen./abcnews.al