Kongresi amerikan do të nisë një tjetër hetim ndaj presidentit Trump, për pengim drejtësie dhe korrupsion. Një komision i posaçëm do të hetojë edhe sulmet e Trump ndaj drejtësisë dhe shkarkimin e ish-drejtorit të FBI-së.
Një komision i Kongresit amerikan do të hetojë presidentin Donald Trump për pengim të drejtësisë, korrupsion dhe abuzim me anë të detyrës. Kryetari i komisionit gjyqësor, Xherold Nedllër ka deklaruar se duke nisur nga e hëna 60 individë dhe shoqata do të marrin thirrje për të dëshmuar në Kongres dhe për të dhënë dokumenta. Nedller ka thënë se dyshohet se Trump ka penguar drejtësinë, por çdo lëvizje për inkriminimin e tij do të varet nga rezultatet e hetimit. Vazhdimisht presidenti Trump i ka cilësuar proceset hetimore të nisura ndaj tij një “gjueti shtrigash”.
Ditën e shtunë, ai sulmoi ashpër hetuesin e posaçëm të çështjes “RASHAGEJT”, Robert Myler, i cili së shpejti do të dorëzojë raportin hetimor mbi ndërhyrjen e përfolur ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Sulmet e vazhdueshme ndaj Myler dhe shkarkimi i ish-shefit të FBI-së Xhejms Komej janë çështje që komisioni gjyqësor i Kongresit i konsideron si pengim të drejtësisë nga presidenti Trump.
Por kongresmeni demokrat ka shtuar se për momentin nuk ka prova që të vazhdohet me një inkriminim të presidentit. “Deri tek inkriminimi është një rrugë e gjatë dhe për momentin nuk kemi fakte, por do të nisim hetime serioze”, ka shtuar Nedllër./abcnews.al

