Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të përkushtuara t’i ofrojnë Ukrainës mjetet për të luftuar agresionin rus, megjithëse Kongresi amerikan ende nuk ka arritur të miratojë ndihmën shtesë për Kievin. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carla Babb, shoqëroi sekretarin e mbrojtjes në vizitën në Bazën Ajrore Ramstein në Gjermani.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin u largua nga Gjermania të mërkurën për t’u rikthyer në Shtetet e Bashkuara, pas një takimi me aleatët për të diskutuar mbi luftën në Ukrainë.
Në takim, ai u zotua se Shtetet e Bashkuara do ta vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën.
“Shtetet e Bashkuara nuk do ta lënë Ukrainën të dështojë”, deklaroi sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin.
Në takimin e parë të këtij viti për Grupin e Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, sekretari amerikan i Mbrojtjes e bëri të qartë se Ukraina është tepër e rëndësishme për ta braktisur.
“Sot, mbijetesa e Ukrainës është në rrezik. Nuk duhet të humbasim asnjë ditë më shumë”, tha sekretari Austin.
Por analistët thonë se audienca ishte ndoshta spektike, për shkak se Kongresi amerikan nuk ka miratuar ende ndihma të reja për Ukrainën.
“Fondet kanë shterruar. Ukraina vazhdon përpjekjet për të larguar forcat ruse nga territori i saj lindor dhe duket se në terren kemi një stituatë ngërçi taktik”, thotë ish-koloneli Myles Caggins, tashmë me Institutin “New Lines”.
Ndërsa Pentagoni ka mbetur pa fonde për Ukrainën dhe nuk ka ndonjë shenjë se Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane do ta hedhë në votim projektbuxhetin për ndihmat, zyrtarët e lartë të mbrojtjes thonë se është e pamundur që aleatët të kompensojnë hendekun e krijuar nga mungesa e ndihmës amerikane.
Ndërkaq Rusia ka shtuar sulmet.
“Nuk ishin taktikat e luftës konvencionale që zmbrapsën sulmin e rrufeshëm të Rusisë. Ishin taktikat guerrilase të Ukrainës”, thotë Sean McFate nga Universiteti i Sirakuzës.
Kritikët si zoti McFate, autor i librit “Rregullat e Reja të Luftës”, thonë se komuniteti ndërkombëtar po investon shumë para për armatime të shtrenjta ushtarake që nuk përmbushin nevojat e luftës së tanishme.
“T’u japësh më shumë armë konvencionale është përkufizimi strategjik i çmendurisë, dmth të presësh një rezultat të ndryshëm, ndërkohë që vazhdon të bësh të njëjtën gjë. Pra, mendoj se është koha që Ukraina të mos mendojë më për një strategji lufte konvencionale, të cilën nuk do ta fitonte kurrë përballë Rusisë dhe të mendojë për mënyrat jokonvencionale duke përdorur pikat e forta të saj”, thotë zoti McFate.
Udhëheqësit perëndimorë, ndër ta edhe sekretari Austin, kanë shprehur shqetësimin se mugesa e furnizimeve për Ukrainën do të ndihmojë planet e Rusisë, që synon lodhjen e Perëndimit me Ukrainën.
Zoti McFate thotë se ukrainasit duhet të lënë disa forca konvencionale për të mbajtur vijën e frontit, ndërsa forcat guerrile të luftojnë me mënyra të tjera ndaj ushtrisë ruse./VOA