Vëlla e motër u ekzekutuan mbrëmjen e së martës në oborrin e banesës së tyre në Rrëshen. 45-vjeçari, Fatmir Koleci ka vrarë ish-bashkëshorten e tij, Esmeralda Filopatin 36 vjeç dhe vëllain e saj Vladison Filopati, 34 vjeç.
Krimi ndodhi në oborrin e banesës së familjes Filopati në Kodër Rrëshen.
Vladisoni kishte shkuar në qytetin e Rreshenit për të marrë nga puna Esmeraldën që punonte si shitëse. Autori ka qëlluar me breshëri plumbash ndaj ish-gruas së tij dhe ish-kunatit, teksa ata i afroheshin shtëpisë.
Plumbat kanë tronditur gjithë familjen Filopati, përfshirë dhe 3 vajzat e mitura të Esmeraldës që ndodheshin në shtëpi me gjyshërit. Pas divorcit Esmeralda jetonte në familjen e prindërve dhe nën kujdesin e të vëllait.
Mësohet se autori i krimit ka shkuar në banesën e ish-bashkëshortes dhe ka kërkuar të marrë vajzat.
Pas kundërshtimit nga ish-bashkëshortja ai e ka qëlluar për vdekje bashkë me vëllanë e saj.
Autori është larguar menjëherë nga vendngjarja dhe policia në bashkëpunim me forcat RENEA është ende në kërkim të tij.
Mësohet se 45 vjeçari Fatmir Koleci pas denoncimeve nga ish- bashkëshortja, ishte dënuar me 4 vite burg për dhunë në familje dhe armë mbajtje pa leje. Esmeralda Filopati e kishte denoncuar në polici 4 vite më parë, ish-burrin e saj Fatmir Kolecaj pasi ushtronte dhunë fizike ndaj saj.
Pas kryerjes së dënimit, ai kishte lënë burgun pak kohë më parë. Për shkak të dhunës nga ish-bashkëshorti i saj, 36 vjeçarja kishte marrë edhe urdhër mbrojtje./abcnews.al