Koloneli Sami Neziri tha se problemi kryesor mbetet sasia e uraniumit të pasuruar në Iran, e cila mund të kthehet në armë bërthamore brenda pak javësh, ndërsa kontrolli i saj kërkon ndryshim regjimi ose operacione speciale.
Sipas tij, megjithëse janë degraduar kapacitetet ushtarake dhe programi bërthamor është vonuar, struktura e decentralizuar e drejtimit në Iran e bën situatën më të ndërlikuar.
“Problemi është te sasia e uraniumit; e vetmja mënyrë për të futur në dorë atë sasi uraniumi është ndryshimi i regjimit ose kryerja e ndonjë operacioni special. E ka vështirësuar edhe fakti se Irani ka një mënyrë drejtimi të decentralizuar; është eliminuar lidershipi i nivelit të parë, të dytë, të tretë. Këto vendime të decentralizuara merren nga komandantët e tretë dhe të katërt.
Nga pikëpamja ushtarake objektivat janë arritur: janë degraduar kapacitetet ushtarake, programi bërthamor është kthyer disa vite pas. Një e treta e raketave balistike, që mendoheshin se ishin stok, janë bllokuar në vend për arsye se janë bllokuar daljet e tuneleve. Problemi, në mendimin tim, është sasia e uraniumit të pasuruar 60 për qind, që mund të kthehet në armë bërthamore brenda pak javësh.” / abcnews.al /


