Policia e Izraelit njoftoi të mërkurën se tre persona të armatosur kanë shtënë me armë zjarri në rrugë pranë një pike kontrolli në Bregun Perëndimor të zaptuar nga Izraeli, duke e vrarë një izraelit dhe duke i plagosur së paku tetë të tjerë.
Dhuna në Bregun Perëndimor është rritur prej tetorit, kur nisi lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.
Benny Gatz, anëtar i Kabinetit të Luftës të Izraelit, tha të mërkurën mbrëma se ka përpjekje të reja për ta arritur një marrëveshje për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit në luftën në Rripin e Gazës. Por, nëse Hamasi nuk pajtohet për t’i liruar pengjet e mbetura izraelite në Gazë, theksoi ai, Izraeli do ta fillojë ofensivën tokësore në qytetin e mbipopulluar jugor, Rafah, gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit në mars.
Lufta e Izraelit në Gazë i ka zhvendosur rreth 80 për qind të popullsisë prej 2.3 milionë nga shtëpitë e tyre. Shumica e tyre i dëgjuan urdhrat e Izraelit për t’u zhvendosur në jug të territorit dhe rreth 1.5 milionë prej tyre janë vendosur në Rafah, në afri të kufirit me Egjiptin.
Lufta nisi kur militantët e Hamasit u futën në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, dhe i vranë rreth 1.200 njerëz dhe i rrëmbyen mbi 250 pengje.
Rreth një e katërta e afro 130 pengjeve, që janë duke u mbajtur ende në Gazë, besohet se kanë vdekur.
Izraeli e ka bërë rrafsh me tokën shumicën e territorit palestinez si përgjigje ndaj sulmit të 7 tetorit.
Më shumë se 29.000 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite prej atëherë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë./REL