Analisti Roland Lami në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, u shpreh se deklaratat e Albin Kurtit në situatën në të cilën ndodhet faktori ndërkombëtar e vështirësojnë më shumë marrëdhënien. Gjatë intervistës, Lami tha se duke parë që shumë konflikte të mëdha janë në tryezat e arenës ndërkombëtare, deklaratat e Kurtit nuk çojnë në zgjidhje, por më shumë tension.
“Dyzimi në qëndrime i nivelit zyrtare të politikës së jashtme në Shqipëri, reflekton pasigurinë në të cilën vendosen SHBA dhe BE që për disa raste nuk janë më të koordinuara. Edhe në rastin e Gazës dhe të Iranit, dhe të Ukrainës, dhe të Kosovës ka deklarata që nuk janë të koordinuara me BE dhe Shqipëria është detyruar të gjejë një mekanizëm për të kënaqur të dy palët. Në rastin e Kosovës, qëndrimi i kryeministrit Kurti është jashtë kontekstit në të cilën ndodhet faktori ndërkombëtar. Pasi konflikte shumë më të mëdha janë sot në tavolinat e arenës ndërkombëtare dhe t’i shtosh më shumë kokëçarje nuk e qetëson situatën. Plus që mund të shkaktosh edhe një reagim apo zgjidhje situate në tension. Dhe ta kërkosh këtë me një këto konflikte të hapura dhe të tentosh të tërheqësh vëmendje më duket një aventurë politike”, tha mes të tjerash ai.