TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka kërkuar në Gjykatën e Shkallës së Parë konfiskimin e pasurive të Elton Arkaxhiut, i cili rezulton të jetë i dënuar në Francë për trafik të lëndëve narkotike dhe pastrim parash.
Konkretisht, organi i akuzës kërkon që Elton Arkaxhiut t’i konfiskohen dhe t’i kalojnë shtetit: një truall me sipërfaqe rreth 72 m², në të cilin është ndërtuar edhe një godinë 38 m²; një lokal “Bar Kafe Rio”, me sipërfaqe 108 m² dhe me vlerë rreth 210.000 euro; një ambient biznesi 63 m² me vlerë 126.000 euro.
Të gjitha këto pasuri ndodhen në zonën e Myslym Shyrit në kryeqytet, ndërsa rreth një vit më parë u vendosën në sekuestro preventive.
Prokuroria thotë se trualli dhe dy bizneset, të regjistruara në emër të vëllait të Elton Arkaxhiut dhe një të afërmi të tyre, janë vënë me paratë e përfituara nga shitja e drogës në Francë. Ndërkohë, ndaj këtyre personave Prokuroria ka kryer edhe një hetim financiar, ku ka rezultuar se me të ardhurat e tyre nuk mund të siguronin dy bizneset dhe truallin në një nga zonat më të shtrenjta të kryeqytetit.
Elton Arkaxhiu ka qenë i dënuar në Francë për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, ndërsa në Shqipëri rezulton me precedent që nga viti 2011, për veprën penale të “Pastrimit të parave”.
/abcnews.al/


