Erzeni shkarkoi një ditë më parë trajnerin Vladimir Gjoni, i cili në një prononcim të shkurtër për ABC Neës u shpreh se u befasua nga ai vendim. “Nuk më kanë dhënë arsye për largimin. Janë punët e brendshme të klubit. Kam ngelur i habitur jashtë mase. Gjithsesi, puna ime dhe pasioni nuk kanë munguar dhe nuk do mungojnë kurrë, në çdo ekip që të jem”, tha shkurtimisht tekniku matjan.
Në Shijak gjithçka ka qenë e programuar. Sikurse edhe raportuam një ditë më parë, Stavri Nica ishte kandidatura kryesore për të pasuar Gjonin në krye të Erzenit. Kështu ka ndodhur dhe sot është konfirmuar një lëvizje e tillë.
Nica rikthehet për të disatën herë të drejtojë skuadrën shijakase. Së fundmi ai drejtoi ekipin e Devollit, me të cilin u ngjit në Kategorinë e Parë dhe e drejtoi për disa javë. Durrsaku tanimë bëhet trajneri tretë i Erzenit brenda këtij sezoni, pasi veç Gjonit, më parë është shkarkuar edhe Gentian Begeja. /abcnews.al