Interi do të luajë sot në orën 18:00 kundër Bolognës në transfertë. Conte pritet të ketë të gatshëm edhe Stefano Sensin, i cili ka lënë pas krahëve dëmtimin e pësuar.
24-vjeçari është një nga zbulimet më të bukura të ekipit zikaltër në këtë sezon. Mesfushori po bën mirë dhe ka arritur të fitojë zemrat e tifozëve. Por, jo vetëm. Barcelona e pëlqen dhe po e monitoron prej kohësh.
Lajmet që vijnë nga Spanja janë intriguese, teksa katalanasja Sport raporton se agjenti i Sensit është parë në Barcelonë. Giuseppe Riso po tenton të gjejë një akord me kampionët e Spanjës, të cilët kanë vendosur të bindin lojtarin në fillim, e Interin më pas.
Diçka e tillë nuk pritet të jetë e vështirë, pasi Sensi është një tifoz i thekur i Barcelonës. Mesfushori italian nuk e ka fshehur kurrë admirimin për ekipin spanjoll dhe do pranonte menjëherë të luante përkrah Leo Messit në “Camp Nou”./abcnews.al