Konfirmohen disa mutacione të koronavirusit në Maqedoninë e Veriut

schedule16:23 - 14 Janar, 2021

schedule 16:23 - 14 Janar, 2021

Maqedonia e Veriut ka regjistruar disa mutacione të koronavirusit, por që nuk janë të ngjashëm me variantin e ri të virusit që është zbuluar në Britani të Madhe.

Lajmi është bërë me dije nga Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili ka theksuar se format e reja të detektuara nga laboratorët e Akademisë së Shkencave nuk paraqesin rrezik shtesë për qytetarët dhe institucionet shëndetësore.

“Që nga stina e verës (2020), tek ne janë zbuluar gjashtë apo shtatë mutacione gjenetike në Laboratorin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut. Nuk janë të ngjashëm me variantin e ri të koronavirusit të ri në Britani të Madhe”, theksoi Filipçe.

Ministri i Shëndetësisë ka njoftuar se vaksinat e para anti-COVID pritet të arrijnë në Maqedoninë e Veriut pas dy javësh.

“Vaksinat tani më janë rezervuar për vendin tonë dhe bazuar në dinamikën e shpërndarjes presim që dozat e para të arrijnë në shkurt. Sipas planit të kompanisë Pfizer, me rritjen e kapaciteteve të tyre prodhuese dhe të kompanive tjera që janë pjesë të programit “COVAX” unë besoj se pas muajit shkurt do të kemi një proces të shpërndarjes gjithkund dhe me një dinamikë të vazhdueshme”, ka deklaruar Filipçe.

Ministri gjithashtu ka njoftuar lehtësimin e masave shtrënguese pas 21 janarit. Objektet e gastronomisë dhe lokalet tjera do të punojnë deri në orën 21:00, në vend të orës 18:00.