Konfindustria i kërkon ekzekutivit të ndërhyjë sa më shpejt për të ulur çmimet e karburanteve dhe energjisë elektrike në nivele të krahasueshme me vendet e Rajonit.
Shqipëria renditet nder 25 vendet e para në botë për çmimin e lartë dhe cilësinë e ulët të karburanteve në qarkullim. Konstatimi vjen nga Konfindustria, e cila i kërkon qeverisë të ndërhyjë sa më shpejt e të reduktojë koston të paktën në nivelet e rajonit.
Administratori Gjergj Buxhuku thotë se kjo kërkesë merr shkas nga shqetësimet e vazhdueshme të industrisë vendase.
“Konfindustria vlerëson se çmimet e larta dhe cilësia e dobët e karburanteve dhe energjisë elektrike janë pengesë kryesore për zhvillimin ekonomik, biznesin dhe mirëqënien e qytetarëve shqiptarë.
Mjaft shqetësuese është edhe prania e zgjeruar e kompanive “guackë” të regjistruar në parajsa fiskale të pranishëm sidomos në sektorin strategjik të karburanteve”-shkruan Administratori Buxhuku në njoftimin e shpërndarë për mediat.
Situatën në tregun e karburanteve Konfinduastria e lidh me mungesën e markave ndërkombëtare ndërkohë që thekson se;
“Mosveprimi i agjencive shtetërore për zbatimin e standarteve ligjore të funksionimit të tregjeve të karburanteve dhe energjisë kanë shenja të qarta të paaftësisë, subjektivizmit dhe korrupsionit.”
Tregjet e karburanteve dhe energjisë elektrike sebashku qarkullojne sipas Konfindustrias afro 15% Prodhimit të Brendshëm Bruto të ekonomisë në vit.
/abcnews.al