Raporti i monitorimit për kultivimin e kanabisit, Veliu: Në Itali u trafikua 37% më pak se vjet

schedule10:23 - 14 Dhjetor, 2020

schedule 10:23 - 14 Dhjetor, 2020

Policia e shtetit dhe Policia Italiane këtë të hënë kanë zhvilluar një konferencë të përbashkët, ku në fokus është lufta kundër kultivimit të kanabisit 2020.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka bërë me dije se gjatë vitit 2020 janë kryer 143. 844 kontrolle në terren, janë përdorur 38 dronë nga 24 që janë përdorur në vitin 2019, teksa janë kryer 90 orë fluturimi me helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ndërkohë mësohet se janë asgjësuar 137.216 bimë narkotike, nga të cilat 15.828 kubikë. Sipas Veliut, drejt Italisë është trafikuar 37% më pak lëndë narkotike drejt Italisë, më konkretisht në 2019 janë kapur 1447 kg 982 gr, ndërkohë që në 2020 janë kapur 911 kg e 500 gr. Këto shifra, Veliu tha se janë statistika që kanë mbërritur nga Policia italiane.

Në fjalën e tij në konferencë Veliu ka bërë me dije se janë proceduar 17 punonjës policie, teksa 3 janë përjashtuar. Gjithashtu, 72 punonjës janë ndëshkuar me masa disiplinore, 71 janë ndëshkuar më masa për shkelje të lehta disiplinore, 11 punonjës në nivel drejtues janë transferuar.

“Në muajin qershor të vitit 2020, Guardia di Finanza filloi fluturimet ajrore të monitorimit. Janë kryer gjithsej 67 misione fluturime monitorime ajrore me 185 orë. Në total për vitin 2020, nga monitorimet ajrore janë identifikuar e asgjësuar 58.423 bimë narkotike cannabis sativa, ndërsa në vitin 2019 u identifikuan e asgjësuan 25.719 bimë ose 32.704 bimë më shumë.

Punë të pandërprerë kemi bërë për goditjen e aktivitetit kriminal të kultivimit të bimëve narkotike, nëpërmjet zhvillimit të veprimeve operacionale për asgjësimin e bimëve narkotike dhe kryerjes së veprimeve procedurale për dokumentimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve.

– Evidentuam 577 vepra penale për kultivim të bimëve narkotike, nga të cilat 505 janë raste kultivimi dhe 109 procedime proaktive.
– Janë implikuar 468 shtetas, janë arrestuar e ndaluar 284 shtetas.
– Janë konstatuar e janë asgjësuar 137.216 bimë narkotike, nga të cilat 18.828 në kubikë.

Në të njëjtën periudhë të vitit 2019 janë:
– Evidentuar 453 vepra penale, nga të cilat 409 raste kultivimi dhe janë procedime proaktive;
– Janë implikuar 507 shtetas, janë arrestuar e ndaluar 357 shtetas;
– Janë konstatuar janë asgjësuar 90175 bimë narkotike, nga të cilat 14886 në kubikë.

Gjatë këtij viti në ndryshim nga vitet e mëparshme tendenca ka qenë kultivimi në zonat e thella malore, në pyje dhe në sipërfaqe të vogla.

Rezultat të ndjeshëm na dha puna efikase për parandalimin, identifikimin, zbulimin dhe goditjen e grupeve kriminale të trafikimit të kanabisit dhe aseteve që rrjedhin nga veprimtaria kriminale.

Pavarësisht nga sa shpreha më lart, do të ishte e pakuptimtë dhe puna e Policisë së Shtetit do të konsiderohej gjysmake nëse ajo nuk do t’i kushtonte të njëjtën vëmendje si goditjes së kultivimit të bimëve narkotike edhe fazave të tjera të veprimtarisë kriminale, goditjes së trafikimit të saj dhe sekuestrimin e aseteve që rrjedhin nga kjo veprimtari.

Gjatë periudhës referuese në bazë të statistikave të kolegëve italianë, kemi një rënie të trafikimit drejt tyre me 37%, nga 1447 kg e 982 gr. vitin e kaluar, në 911 kg e 500 gr. këtë vit. Mungesa e lëndës narkotike në treg është reflektuar edhe në çmimin e saj, i cili është rritur nga 800-900 euro për kg në 2019 në 1400-1500 euro për kg në 2020″, ka thënë Veliu.

Ndëshkime ka pasur edhe sa i përket zyrtarëve vendorë. Ato janë proceduar penalisht për “shpërdorim detyre” dhe “moskallëzim krimi”. Bëhet fjalë për administratorë të njësive vendore, kryetarë fshatrash, inspektorë të shërbimit pyjor, si edhe roje ujësjellësi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!