Konferenca Ndërkombëtare e Nanoteknologjisë, Rama: Do të punojmë për të rinjtë dhe botën universitare

schedule10:02 - 3 Tetor, 2022

schedule 10:02 - 3 Tetor, 2022

Kryeministri Edi Rama është shprehur optimist për mbarëvajtjen e arsimit të lartë në Shqipëri, teksa thekson se Universiteti i Tiranës ka hyrë në një fazë të re, pasi fondet europiane janë 4-fishuar.

Në fjalën e tij gjatë  Konferencës Ndërkombëtare të Nanoteknologjisë, Rama tha se  qeveria do të vazhdojë të mbështesë të rinjtë  dhe botën universitare.

“Brenda pak ditësh, në datën 6, të gjithë liderët e kësaj gjeografie, që përfshin vendet e Bashkimit Europian, vendet e Ballkanit. Vende që janë shumë të zhvilluara, por që nuk janë në Bashkimin Europian si Zvicra e Norvegjia, e kështu ne radhë, do të mblidhen në Pragë për të diskutuar jetësimin e idesë së një Komuniteti të Ri Politik Europian.

Së bashku me kryeministrin Rutte kemi shkruar një editorial që do të publikohet nesër në Politiko mbi disa nga drejtimet që ne besojmë janë shumë të rëndësishme për këtë Komunitet të Ri Politik Europian dhe ku, nga ana jonë si Shqipëri, ne kemi vënë theksin, ndër të tjera, tek të rinjtë dhe tek universiteti, bota universitare europiane, tek domosdoshmëria që të rinjtë tanë dhe që universitetet tona, që janë jashtë rrjetit të universiteteve europiane të Bashkimit Europian, të kenë mundësinë e një aksesi të barabartë, çka do t’i jepte një hov shumë të konsiderueshëm procesit të ndërkombëtarizimit të universiteteve tona, duke mundësuar krijimin e sinergjive me universitetet europiane dhe praktikisht, për ta ulur bisedën krejtësisht me këmbë në tokë, duke iu dhënë mundësi nxënësve tanë që mbarojnë gjimnazet në Shqipëri që të mos kenë nevojë domosdoshmërisht të largohen për të shkuar për të studiuar në një universitet prestigjioz në Spanjë apo në Holandë apo në Francë apo në Gjermani dhe kështu me radhë, por ta gjejnë këtu në Shqipëri mundësinë që duke hyrë në universitet apo fakultet vendas të kenë programin dhe pasta në fund diplomën e barasvlershme të një universiteti europian të Spanjës, Holandës, Francës, Gjermanisë dhe kështu me radhë.

Natyrisht që ky do të jetë një proces, natyrisht që do të kërkojë kohën e vet, por për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që të shtyjmë në këtë drejtim, sepse nuk ka asnjë diskutim, që dimensioni akademik dhe arsimor i integrimit të plotë në BE nuk duhet të persë anëtarësimin e plotë të vendeve të Ballkanit në BE, por duhet t’i paraprijë këtij anëtarësimi.
Nëse kjo do të përqafohet edhe nga vendet e tjera dhe nëse kjo do kthehet në një politike të re të BE do të jetë një arritje e jashtëzakonshme, një lehtësim i jashtëzakonshëm për të gjithë, për të gjithë ato familje që investojnë shumë nga kursimet apo nga financat e tyre për t’i shkolluar fëmijët në universitete jashtë vendit. Për të gjithë ata që i përkasin botës akademike këtu në vend, botës universitare këtu në vend, pedagoge dhe pedagogë dhe nuk diskutohet dhe për përfituesit e drejtpërdrejtë që janë studente dhe studentët”, tha Rama.

Akademia e Shkencave risolli këtë të hënë  për herë të dytë në Shqipëri një nga konferencat më mëdha të shkencës. Konferenca Ndërkombëtare e Trendeve në Nanoteknologji (TNT2022) po mbahet në Pallatin e Kongreseve. Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi në fjalën e tij në konferencë u shpreh se duhet shumëfishim i financimeve për shkencën./abcnews.al/