Sot u zhvillua Konferenca e Donatorëve për Projektin e Rindërtimit pas tërmetit në zonat që janë dëmtuar në Shqipëri nga tërmeti i 26 nëntorit.
Mes 100 vendeve pjesëmarrëse në këtë Konferencë mori pjesë edhe aleati më i rëndësishëm i Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Qeveria ameriakane përmes të dërguarit të saj Matthew Palmer zbuloi shifrat në ndihmë të Shqipërisë për rindërtimin nga tërmeti.
Gjatë fjalës së mbajtur në këtë konferencë, Matthew Palmer nuk harroi të theksonte se në procesin e reagimit, pas tërmetit, inxhinierët amerikanë arritën ti menaxhojnë fondet në mënyrë transparente, që të sigurohej se ndihma do të shkonte te ata që kishin më shumë nevojë.
Më tej Palmer tha se qeveria amerikane kishte akorduar 3.9 milionë dollarë qeverisë shqiptare, të cilat do të jenë transparente, dhe gjithashtu llogaridhënëse, në mënyrë që këto para të shkojnë te njerëzit në nevojë.
“Shqipëria do të rindërtohet më mirë falë mbështetjes të të gjithëve ne. ShBA ka qenë në krah të Shqipërisë, miqësia jonë e veçantë e ka zanafillën që prej Konferencës së Versajës ku presidenti Wilson u ngrit në mbështetje të demokracisë së Shqipërisë.
Gjithashtu ne ishim krah Shqipërisë në demokracinë e 1991, kemi qenë miq në kohëra të mira, dhe të vështira, dhe do të vijomë të mbështesim Shqipërinë, edhe në fazën e rindërtimit.
SHBA ka dhënë rreth 800 mijë dollarë për mbështetjen në fazën e rimëkëmbjes, ndihma jonë ishte e shpejtë, dhe për plotësimin e nevojave. Ne kemi 3 faza: reagim , rimëkëmbje, rindërtim dhe përgatitje për reduktimin e rrisqeve të fatkeqësive.
Në fazën e reagimit, inxhinierët tanë, bënë vlerësimin e dëmeve në 3 juridiksione, duke kombinuar praktikat më të mira të mekanizmit evropian të mbrojtjes civile, të grupit këshillimor, të kërkim shpëtimit, dhe të qendrës tonë të koordinimit për fatkeqësinë.
Në këtë proces, ne mundëm që ti menaxhonim, e ti harxhojmë fondet në mënyrë transparente, që shqiptarët, dhe ata që janë prekur më shumë, të jenë të sigurt që nevojat e tyre do të plotësohen.
Për këtë qëllim qeveria Amerikane do të japë 3.9 milion dollarë qeverisë së Shqipërisë në mënyrë transparente dhe llogaridhënëse, që këto para të shkojnë tek njerëzit që kanë më shumë nevojë.
Këto fonde do të ndihmojnë të krijojnë akademinë e transparencës, që vjen si kërkesë e kryeministrit për të ofruar transparencë në qeverisje, që ti përgjigjet qytetarëve, dhe reformës në gjyqësor.
Gjithashtu rreth 800 mijë dollarë për monumentet e dëmtuara në qytetet e Durrësit, Krujës, në Prezë, ashtu siç janë përcaktuar në raportin e dëmeve pas fatkeqësisë.
Dhe në fund përmes iniciativave së përgatitjes rajonale, do të japim edhe 60 mijë dollarë të tjerë, me qëllim që të ndihmojnë Kryqin e Kuq, një qendër për emergjencat, i cili do të rrisë dhe harmonizojë reagimet në të ardhmen.
Pra shuma prej 5 milion dollarë, dhënë nga qeveria jonë, është në përputhje me nevojat e popullit shqiptar, dhe pasqyron miqësinë tonë të thellë”./abcnews.al