Qeveria pret 450 milion euro nga donatorët, por nevojat janë shumë më të mëdha

schedule10:35 - 17 Shkurt, 2020

schedule 10:35 - 17 Shkurt, 2020

Mesditen e sotme mblidhet në Bruksel Konferenca Ndërkombëtare e Donatorëve e inicuar nga Bashkimi Europian në ndihmë të Shqipërisë, pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit. Qeveria shqiptare shkon aty me pritshmëri modeste.

Kryeministri i Shqipërisë, i cili ishte pjesëmarrës në Konferencën e Sigurisë në Mynih i shfrytëzoi ditët e konferencës për të tërhequr sa më shumë donatorë për Shqipërinë. Ai u shpreh megjithatë i përmbajtur për mediat. “Nuk bëhet fjalë për të arritur që të përmbushim të gjitha nevojat, por sidoqoftë të mbetemi në një nivel, që sado modest, të mund të ketë një peshë në këtë proces”.

Në bisedë me Deutsche Welle-n ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj shprehet mirënjohës për solidaritetin europian të treguar këto muaj. Solidariteti është shumë i madh, megjithatë shifra në fund do ta materializojë këtë solidaritet, thotë ai. Ministri Ahmetaj pret që në “kombinim me grante dhe kredi të arrihet të mblidhet një ndihmë rreth 450 milionë euro” për Shqipërinë. “Për shkak të turit që ka bërë kryeministri në disa vende, për shkak të ndjeshmërisë në vendet europiane presim një shifër përafësisht të tillë.” Megjithatë ai thekson, se nevojat janë shumë më të mëdha. “Jam i shqetësuar se si do t’i japim impuls ekonomisë këto vite e si do të mënjanohen dëmet në infrastrukturë.”

Banka Botërore ndihmë sektorit shëndetësor

Nevojat më akute në Shqipëri vlerësohet se janë në sektorin e banimit, ku pas tërmetit më shumë se 95. 000 banesa janë shkatërruar dhe dëmtuar, por jo pak dëme ka pasur edhe në shkolla, spitale, e infrastrukturën e vendit. Banka Botërore pas tërmetit në Shqipëri ofroi menjëherë ndihmë në llogaritjen e pasojave të dëmeve dhe efektin e tyre në ekonomi. Drejtoresha rajonale për Ballkanin Perëndimor në Bankën Botërore, Linda Van Gelder tha për Deutsche Welle, se “më specifikisht, Banka Botërore iu përgjigj nevojave në sektorin shëndetësor, ku tërmeti shkatërroi disa spitale. Një projekt në vijim është duke ofruar ndihmë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të modernizuar sektorin e shëndetësisë. Ne jemi të gatshëm të drejtojmë resurset nga ky projekt për të filluar menjëherë punën për rikonstruktimin e tre spitaleve të prekura.”

Banka Botërore ka ofruar e do të ofrojë ndihmë teknike dhe financiare, si në afat të shkurtër ashtu edhe të mesëm, thotë Van Gelder, e cila po ashtu do të marrë pjesë në Konferencën e Donatorëve, si përfaqësuese e Bankës Botërore. /dw