Koncesion dhe transaksion, si SPAK zbuloi pagesën e dyshimtë në llogarinë e Berisha Junior

schedule21:03 - 25 Shtator, 2024

schedule 21:03 - 25 Shtator, 2024

Trasfertat bankare ndër vite të konstatuara mes biznesmenit Ismail Mulleti dhe Shkëlzen Berishës, djalit të ish kryeministrit, Sali Berisha, janë duke u hetuar për herë të parë nga Prokuroria e Posaçme, në kuadër të dosjes së ndarë për çështjen Gërdeci.

Burime të sigurta i thanë “ABC News”, se të njëjtat hetime që janë përqendruar tek gjurmimi i parasë, kanë evidentuar edhe përfitime që biznesmeni Mulleti ka marrë nga lidhja e një koncesioni në shkurt të 2013-tës për markimin dhe gjurmimin e naftës kontrabandë në periudhën që qeveria drejtohej nga Sali Berisha.

SPAK ka identifikuar një transaksion bankar nga llogaria e Mulletit në drejtim të Shkëlzen Berishës për të cilën ka dyshime se mund të jetë dhënë në formë korruptive për lidhjen e kontratës. Hetimet e ndara nga SPAK për çështjen Gërdeci janë të regjistruara për akuzën e korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe atë të pastrimit të parave.

Në sajë të këtyre hetimeve gjatë pranverës së këtij viti, SPAK ka ushtruar disa kontrolle përfshi edhe ambiente kompanish duke sekuestruar disa telefona celularë dhe dokumente qe pritet ti vijnë ne ndihme hetuesve. Hetimet për këtë dosje vijojnë në dy drejtime, së pari lidhur me procedurën e shitjes së municioneve nga ndërmarrja “Meico” ndaj shoqërive “Evdin” ltd. dhe “AEY” inc. në vitin 2007, vetëm 1 vit para se të ndodhte shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve dhe municionit në Gërdec që i mori jetën 28 personave dhe plagosi qindra të tjerë. Prokuroria ka dyshime se për lidhje e kontratës së shitjes së municioneve ka patur ndikimi nëpërmjet korrupsionit tek zyrtarët e lartë të kohës.

Për këtë , janë duke u verifikuar transaksionet bankare te kryera nga disa zyrtarë dhe të afërmit e tyre, për të cilët ka pasur dyshime se mund të kenë ndikuar në lidhjen e kontratës. Ndjekja e parasë, siç duket ka bërë që SPAK të shtrijë hetimet edhe të transaksione që lidhen me markimin e naftës.

Kontrata koncesionare me kompaninë që do të kryente markimin dhe gjurmimin e naftës kontrabandë është lidhur mes shtetit shqiptar dhe kompanisë GFI Albania që përfaqësohej nga Ismail Mulleti dhe një bashkë-ortak i tij, në kohën që qeveria drejtohej nga Sali Berisha. Prej 2 vitesh kompania nuk është më në pronësi të Mulletit por rezulton se është shitur tek një shtetase turke.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!