Komuniteti politik Europian zëvendësues i zgjerimit? Barsacq: Shqipëria e ka nisur procesin e saj, më shumë për vende si Ukraina

schedule23:16 - 7 Korrik, 2022

schedule 23:16 - 7 Korrik, 2022

“Komuniteti politik Europian” nuk përfaqëson një mekanizëm zëvendësues për zgjedhimin e vendeve në procese euro-integruese si Shqipëria.  Kështu është shprehur ambasadorja franceze në Shqipëri Elisabeth Barsacq në një intervistë për gazetarin Endri Xhafo.

Zgjerimi është aty, tha ambasadorja, duke shtuar se Shqipëria e ka nisur procesin e integrimit dhe KE do të vijojë të financojë që procesi të vijojë. Por, mesa duket Komuniteti politik Europian do të jetë më tepër pë vende si Ukraina apo Moldavia që sapo e kanë nisur rrugën e tyre drejt integrimit në Union.

Barsacq u shpreh se “është e qartë që ato janë vite drite larg sa i takon normave europiane.

“Dhe kur them “norma europiane” e kam fjalën përshtatjen e korpusit ligjor, “acquis communautaire”, që mundëson anëtarësimin.”Po ashtu, ambasadorja franceze tha se pret shumë nga Shqipëria që “të demonstrojë se është një vlerë e shtuar për Bashkimin evropian.”

PJESË NGA INTERVISTA

Endri XHAFO – (qesh) Dashtë Zoti! Mirë, supozojmë që Shqipëria në një moment e firmos traktatin e anëtarësimit. Eshtë një gjë që nuk e themi asnjëherë mjaftueshëm, ose, thuajse fare, këtu në Shqipëri, që në Francë traktati duhet miratuar ose me referendum (Neni 88-5 i Kushtetutës franceze), ose me shumicën e 3/5 të të gjitha votave të Parlamentit të mbledhur në Kongres, dmth. Asambleja plus Senati (Neni 89 paragrafi 3). Mirëpo duke pasur parasysh konfigurimin aktual të Asamblesë, ku presidenti e ka humbur shumicën absolute dhe një numër i lartë euroskeptikësh kanë hyrë futur në Parlament, a ngjan refuzimi ndaj anëtarësimit të Shqipërisë një skenar më i mundshëm se çdo skenar tjetër?

Elisabeth BARSACQ – Atëherë, Traktati i anëtarësimit… Ju bëni sikur kalohet direkt nga konferenca ndërqeveritare te traktati i anëtarësimit. Pra, ju imagjinoni sikur traktati kalon në Asamble në kompozimin e saj aktual. Meqë ra fjala, ju përgëzoj për njohjen e saktë të Kushtetutës franceze dhe ratifikimin e traktateve; besoj janë të paktë ata që e njohin mënyrën se si ratifikohen traktatet në Francë. Atëherë, është e vertetë që mazhoranca aktuale parlamentare është relative. Por ajo që mua më duket tejet e rëndësishme është që në procesin që do të fillojë, Shqipëria të mund të bindë tërësinë e qytetarëve europianë dhe tërësinë e deputetëve europianë për domosdoshmërinë e anëtarësimit të Shqipërisë dhe për rrjedhojë ratifikimin e traktatit, – se nuk është vetëm Franca ku nevojitet ratifikim i traktateve. Kjo është shumë e rëndësishme. Ajo që më duket gjithashtu shumë e rëndësishmë është që traktati i anëtarësimit të kuptohet mirë edhe nga deputetët shqiptarë. Sepse të anëtarësohesh në BE do të thotë të pranosh idenë e një sovraniteti të përbashkët. Dhe mua ky më duket një element i rendësishëm informimi këtu në Shqipëri. Shpesh më ndodh të shpjegoj se po, Parlamenti francez është ai që është në këtë moment. Por a e dimë që parlamenti francez nuk miraton veçse 20% të ligjeve që nuk janë ligje komunitare europiane? Në realitet, i gjithë aparati ynë legjislativ, në masën 80% të tij, – dhe kjo është po aq e vërtetë për të gjitha vendet anëtare, – vendoset bashkarisht në Bruksel; ato që quhen “direktivat europiane”. Dhe pastaj transpozohet në të drejtën e brendshme. Psh. korpusi ligjor për mjedisin është i jashtëzakonshëm. E gjithë puna e bërë nga Bashkimi europian për mbrojtjen e mjedisit në tërësinë e vet, mendoj se e tejkalon masën 80% të asaj që ne kemi në të drejtën e brendshme në Francë. Tani, në realitet, gjendemi në një situatë ku nuk kemi më ndarje të mirëfilltë. Dhe kjo është e komplikuar për t’u kuptuar, që, të anëtarësohesh në BE, do të thotë të thuash “po, unë vendos që ligjet që merren për vendin tim të organizohen bashkarisht në Bruksel, me Këshillin e Bashkimit europian, Këshillin europian, Parlamentin europian… Dhe Parlamenti europian, që prej Traktatit të Lisbonës, ka gjithmonë e më shumë funksione bashkë-vendimmarrjeje për “direktivat”.

Endri XHAFO – I lejova vetes të shoh larg, vite pas të parës Konferencë ndërqeveritare, për të ngritur një çështje: A nuk do ta kemi bërë gjithë këtë rrugë më kot, nëse në fund, për arsye subjektive, elektoraliste… Kujtoj psh. Kushtetën europiane. Ju e dini më mirë se unë punën kolosale që u bë nga ish-presidenti francez Valéry Giscard d’Estaing dhe ish-kancelari gjerman Helmut Schmidt, etj. Ishte një tekst shumë shumë i mirë, por Kushtetuta europiane u refuzua me referendum në Francë dhe Holandë. E gjithë klasa politike franceze tha “votojeni këtë tekst, është i mirë; është i mirë për ne, është i mirë për Europën”, etj. Por elektorati francez, për arsye të politikës së brendshme tha “jo, nuk e duam këtë”. Pra, shtroj pyejen e Shqipërisë, duke imagjinuar këtë perspektivë.

Elisabeth BARSACQ – Mendoj se do të arrijmë të gjejmë zgjidhje deri atëherë. Por pres shumë nga Shqipëria që të demonstrojë se është një vlerë e shtuar për Bashkimin europian. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Pra, në atë moment, do të duhet të bëhet një punë e madhe bindëse në Francë. Por jo vetëm në Francë, se ne jemi vetëm një nga vendet anëtare. Janë dhe gjithë të tjerët.

Endri XHAFO – Po, por jeni lokomotiva e Bashkimit europian…

Elisabeth BARSACQ – Ia arritëm ratifikimit për 10 vendet që u anëtarësuan bashkarisht në 2004 dhe për Bullgarinë dhe Rumaninë në 2007. Pra nuk mendoj se ka vështirësi. Aq më shumë që me zhvillimin e udhëtimeve dhe turizmit, veçanërisht të francezëve këtu në Shqipëri, njerëzit janë të gëzuar kur vijnë. Mund t’ju them se francezët që vijnë janë të gëzuar. Thonë, në rastin më të keq, “ore, po pse nuk janë akoma në BE”. E thonë vërtet këtë. Por ju takon edhe juve të bëni lojën tuaj. Dmth. jo e gjitha mbështetet në punën që duhet të bëjnë francezët. Eshtë një punë e tërë bindëse, avokatie, që duhet bërë nga ana e shqiptarëve. Dhe këtu ndoshta duhet përqëndruar e gjithë pjesa në thonjëza “propagandë” pozitive për Shqipërinë, por edhe që të kemi rezultate pozitive në tërësinë e kapitujve që do të hapen gjatë negociatave.

Endri XHAFO – Më kujtohet kur Kroacia u bë anëtare, më saktë përpara se të bëhej anëtare në 2013, panelet e mëdha publicitare të metrosë pariziene u mbushën me afishe gjigande me sloganin “Krocia në BE, Mesdheu zgjerohet”. Çka u evokonte francezëve Mesdheun që e njihni mirë, etj.

Elisabeth BARSACQ – Jam dakord me ju. Edhe këtu kemi plot problematika të përbashkëta për Mesdheun. Veçanërisht për blegtorinë. Duket si hiçmosgjë, por janë më shumë se 30 vjet bashkëpunim franko-shqiptar në lëmin e blegtorisë. Në Francë kemi edhe ne një pjesë të vendit jugore, alpine, pranë Pirenejeve, ku çobenjtë lëvizin bagëtitë për verim… pra kemi shumë të përbashkëta në këto çështje dhe, bujqit, më saktë blegtorët francezë dhe ata shqiptarë, merrren vesh shumë shumë mirë me njëri-tjetrin, sepse kemi metodologji, aspekte të përbashkëta, ngaqë jemi mesdhetarë. Dhe nga ky këndvështrim është një plus për Shqipërinë.

Endri XHAFO – Ideja e presidentit Macron për një “Komunitet politik europian” a është një mënyrë për të realizuar në praktikë që vende që nuk do të jenë anëtarë të Bashkimit europian do të jenë një lloj… anëtarë, por jo me të drejta të barabarta me anëtarët aktualë të Bashkimit europian. A është një mënyrë për të menaxhuar këto vende, përfshirë Shqipërinë?

Elisabeth BARSACQ – Mendoj se ajo që është shumë e qartë në idenë e “Komunitetit politik europian”, – dhe i kam lexuar e rilexuar tekstet, – pikësëpari është se nuk përfaqëson një zëvendësues të zgjerimit. Zgjerimi është aty, vazhdon rrugën e vet dhe ne e dëshërojmë zgjerimin për vendet që e kanë filluar ndërkaq këtë proces. Dhe një Zot e di që Shqipëria e ka filluar, – kemi 10 vjet që po japim 140 milionë euro në vit nga Komisioni në Shqipëri. Dhe janë goxha. Pra këtë proces do ta vazhdojmë. Por, ndërkohë, ju e kuptoni që në raport me vende si Ukraina apo Moldavia, që sapo morën statusin e vendit kandidat, është e qartë që ata janë vite drite larg sa i takon normave europiane. Dhe kur them “norma europiane” e kam fjalën përshtatjen e korpusit ligjor, “acquis communautaire”, që mundëson anëtarësimin. Ndaj në pritje të të qenit anëtar me të drejta të plota të Bashkimit europian, duhet që një sërë vendesh të mund të marrin pjesë ndërkaq në një diskutim të përbashkët politik europian, i cili mund të rezultojë plotësisht frytdhënës për ato vende të përfshira, për të mos u ndjerë të distancuar. Eshtë vërtet mëkat që kur kemi një Këshill europian në këto momente, në mes të luftës, – çka e modifikon thelbësisht situatën, një luftë në kontinent, një luftë që ishte krejt e pamendueshme, për të cilën askush nga ne nuk ishte mendërisht i përgatitur, sepse jemi rritur me idenë që me Bashkimin europian lufta ka marrë fund, – e pra këtyre vendeve duhet t’u sjellim një përgjigje në rrafshin politik. Por, edhe një herë, kjo absolutisht nuk zëvendëson procesin e zgjerimit! Dhe kjo për mua është jashtëzakonisht shumë e qartë! Pastaj shikoni, ka edhe vende si Zvicra. Vend fqinj i Francës, fqinj i Italisë, fqinj i Gjermanisë. Por një vend që nuk është anëtar i Bashkimi europian. Dhe ajo që ishte e habitshme ishte se Zvicra adoptoi sanksionet. E shikoni pra? Asgjë nuk i detyronte për sanksionet e ndërmarra nga Bashkimi europian. Pra, do të ishte mirë të diskutonim me ta. Ja një vend që tipikisht mund të ishte anëtar i Komunitetit politik europian.

Endri XHAFO – Pra kjo ide e Europës me “gjeometri variabël”, nëse mund ta themi kështu, me “dy shpejtësi”, që evokon Komuniteti politik europian, nuk është një mënyrë për t’i bërë bisht vendeve si Shqipëria…

Elisabeth BARSACQ – Jo, jo, jo. Për mua nuk është për t’i bërë bisht.

Endri XHAFO – Por e dimë shumë mirë që Turqia është një vend kandidat në Bashkimin europian. Por Turqia nuk do të jetë kurrë anëtare e Bashkimit europian, të paktën jo në ngjendjen e aktuale të gjërave.

Elisabeth BARSACQ – Në gjendjen e aktuale të gjërave, – dhe ju ftoj ta konsultoni edhe me kolegët e ambasadës së Turqisë, – turqit vendosën t’i stopojnë negociatat, t’i pezullojnë. Ja pra, kjo është situata… /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!