Në Francë flasin për një komplot që po ndodh tek Paris SG. Mediat shkruajnë se gjithçka po ndodh në dëm të sulmuesit uruguajan, Edinson Kavani.
Në futboll shpesh kanë dëshirë të krijojnë “treshet magjike”, por njëra prej tyre është në rrezik. Kjo është treshja MCN tek Paris SG, Mbape-Kavani-Nejmar, ndërsa gazeta prestigjioze “L’Ekip” shkruan se ka “puç” brenda saj.
Informacionet janë që Mbape dhe Nejmar paskan bërë pakt që të mos i pasojnë topin Kavanit, në mënyrë që golat të jenë vetëm për ta. Ky që mund të quhet spekullim, mbështetet nga faktet. Nejmar i jep Mbapesë 25 për qind të pasimeve, ndërsa kampioni i botës ia kthen brazilianit me 31 për qind.
Një akord i dukshëm mes dy lojtarëve që ndihen shumë mirë me njëri-tjetrin.
Po me Kavanin, si kombinojnë ata?
Statistikat janë skandaloze, pasi Nejmar i jep uruguajanit vetëm 0.5 për qind të topave, dhe Mbape mezi arrin deri në 5 për qind. Në skemën 4-3-3 të trajnerit Tuhel, Kavani duket më i sakrifikuari, me pozicionin e tij në qendër të sulmit, më të mbuluar nga mbrojtjet kundërshtare, dhe me më pak hapësira.
Edhe veprimi i Tuhelit pas kartonit të kuq të marrë ndaj Lionit, javën e kaluar, ishte shumë i qartë. Ai bëri një zëvendësim për të forcuar mesfushën e mbrojtjen dhe i sakrifikuari ishte Kavani. Nuk dihet sesa do të durojë rekordmeni i golave i PSG-së përpara sesa të shpërthejë, ndërsa ka edhe një problem tjetër, që quhet Mbape.
Sulmuesi i ri shënoi 4 gola ndaj Lionit, dhe nëse vazhdon kështu, do të “eklipsojë” vetë Nejmarin, pra mund të ketë luftë “civile” edhe tek dyshja aleate “MN”./abcnews.al