Kompanitë në Eurozonë presin që pagat e punëtorëve të rriten me 3.3 për qind në 12 muajt e ardhshëm, sipas një sondazhi të publikuar këtë të hënë nga Banka Qendrore Evropiane (BQE).
Rezultati është më i ulët në krahasim me anketën e mëparshme të tre muajve më parë, kur kompanitë prisnin rritje të pagave prej 3.8 për qind në Eurozonë.
Kompanitë gjithashtu ulën pritjet e tyre për rritjen e çmimeve të shitjeve gjatë 12 muajve të ardhshëm dhe tani besojnë se do të rriten me tre për qind, ndërsa tre muaj më parë prisnin që çmimet të rriteshin me 3.3 për qind.
Zyrtarët e Bankës Qendrore Evropiane janë të interesuar për këto të dhëna, sepse ato tregojnë trendin e inflacionit, dhe rënia e rritjes së pritshme të pagave është përgjithësisht një shenjë pozitive, raporton Bloomberg.
Norma vjetore e inflacionit në Eurozonë është ngadalësuar në 2.5 për qind, por është ende pak më e lartë në sektorin e shërbimeve, ku rritja e pagave luan një rol të rëndësishëm.
Edhe firmat në Eurozonë lanë të kuptohet për tendenca më pozitive në ofertën e kredive bankare dhe deklaruan se presin një inflacion mesatar prej tre për qind në vitin e ardhshëm./abcnews.al