Kompania që ka fituar tenderin për fletët e votimit, letër KQZ-së: Nuk i bëjmë dot gati brenda 10 ditëve

schedule12:58 - 4 Prill, 2021

schedule 12:58 - 4 Prill, 2021

Kompania CETIS që ka fituar tenderin për fletët e votimit i është drejtuar me një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Me anë të kësaj letre, kompania sqaron se kanë hasur në disa vështirësi teknike.

CETIS liston një sërë arsyesh që, sipas saj, e bën të pamundur përfundimin e procesit të prodhimit, paketimit e dërgimit në Shqipëri, të fletëve të votimit.

Mes arsyeve listohen përmasat 297x 600 të fletëve të votimit, që duke qenë jo standarte duan një proces më të gjatë prodhimi. Po ashtu, CETIS thekson që ndodhemi në kohë pandemie, dhe procesi zgjatet më tepër në kohë me testimin e punonjësve të që do të bëjnë dërgesat për në Shqipëri si dhe procedura të tjera.

Për këto arsye, shkruan në përfundim kompania, “fatkeqësisht suksesi dhe siguria në printim dhe dërgim të fletëve të votimit në harkun kohor të 10 ditëve, në periudhën 12-22 prill do të jetë një mision i pamundur.”

LETRA

“Duam t’u vëmë në dijeni për disa limite në procesin e printimit që çdo kompani mund të përballet në një projekt të ngjashëm si ky i prodhimit të fletëve të votimit. Pasi ne kemi marrë të gjithë informacionin e nevojshëm për numrin e fletëve të votimit që do të duhet për qendrat e votimit, ne kemi bërë dizanjimin dhe formatin e tyre, përfshirë kohën që duhet për printimin final. Pas marrjes së konfirmimit, pasi ne të kemi dizajnuar fletën e votimit, do të na duhet kohë për të përgatitur e shkuar në printim sipas konfirmimit të marrë nga KQZ.

Zakonisht ky proces merr 1 deri në 2 ditë dhe varet nga disa faktorë të brendshëm. Printimi në vetvete i 3.6 milionë fletë votimi me përafërsi merr 14 ditë pune dhe vijimësia e procesit të printimit varet nga prodhimi. Ne mbërrijmë në konkluzionin se “fleta e votimit me përmasa të cilat ne kemi parë do të duhet për tu printuar më shumë se 20 ditë, në mënyrë të përfundojmë me sukses të gjithë numrin e kërkuar dhe në fund duhet ti shtojmë edhe dy ditë të tjera për ti dorëzuar këto në qendrat e votimit nga KQZ.

Për sa i përket fletës së votimit të Tiranës e cila është me e gjatë se formati A3 do të na duhet të porosisim letër të kësaj madhësie gjë e cila kërkon 2 deri në 3 javë, përfshirë këtu dhe kohëzgjatjen në printim siç e shpjeguam më sipër. Një fletë votimi e të tilla përmasave do ta zvogëlonte printimin në kohë nga makineritë tona për një sërë arsyesh teknike dhe logjistike.

Të gjithë faktet që ne ju sjellim përmes kësaj letre tregojnë se fatkeqësisht suksesi dhe siguria në printim dhe dërgim të fletëve të votimit në harkun kohor të 10 ditëve, në periudhën 12-22 prill do të jetë një mision i pamundur”.  sb/abcnews.al/