Miratohet Komisioni i “Dezinformimit”/ PD heziton, pritet votimi në Parlament

schedule12:30 - 3 Prill, 2024

schedule 12:30 - 3 Prill, 2024

SHQIPËRI- Opozita nuk është gati që të votojë ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar, i cili do të luftojë informacionin e rremë dhe ndikimet e shteteve të huaja jo miqësore, duke përdorur median, teknologjinë dhe paratë e errëta  në fushata zgjedhore. Gazment Bardhit nuk i mjaftoi argumenti i mazhorancës se kjo vjen pas marrëveshjes së firmosur në Tiranë me Sekretarin Blinken.

“Kjo çështje është sensitive dhe duhet të trajtohet me kujdes të veçantë. Ne bashkëndajmë shqetësimin për ndërhyrjet e e shteteve të treta jo partnere nëpërmjet të gjitha formave. Mirëpo, do duhet që ju të qartësoni iniciativën, të informoni ne dhe gjithë publiku mbi çfarë do të bëjë dhe për çfarë po kërkohet. Flisni për marrëveshje ndërkombëtare, marrëveshje me SHBA, dhe ne nuk dimë asgjë për atë marrëveshje pasi nuk na e keni vënë në dispozicion, edhe pse Kushtetuta e detyron qeverinë të na vendos në dijeni”, tha ai.

Mazhoranca argumentoi përmes Bledi Çuçit se një praktikë e tillë është marrë edhe nga vetë Bashkimi Evropian, i cili po ashtu ka ngritur një komision të tillë të posaçëm për dy vjet.

“Më vjen keq që kolegët e opozitës shohin me paranojë çdo iniciative te mazhorancës. Por nuk është ky rasti. Për shkak të zhvillimeve nëpër botë, vlerat e demokracisë perëndimore janë më të kërcënuara. Dezinformimi është një nga instrumentet që po përdoret gjerësisht për të cenuar vlerat demokratike. Këtë nuk e themi ne, por e thotë gjithë bota perëndimore. PE pati një rezolutë dhe një komision të posaçëm për këtë punë. Do të bëjë një analizë të plotë të situatës. S’mund të jemi ne imunë kur nuk është SHBA apo vendet e BE. Është në nderin tonë ta adresojmë sa më parë. Jam i bindur se ju do i bashkoheni këtij komisioni”, tha Çuçi.

Mazhoranca dha votat e saj për këtë çështje në Konferencën e Kryetarëve, duke e kaluar për votim në seancë plenare. Ky komision i posaçëm do të angazhojë anëtarë nga 4 komisioneve të tjera parlamentare( Komisioni i Jashtëm, Ligjet, Siguria Kombëtare dhe Edukimit)./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!