Komisioni i Venecias edhe një herë do të angazhohet për nismën e mazhorancës socialiste për të shkakruar Ilir Metën nga posti i Presidentit. Pas dhënies së oponionit për çështjen e dekreteve të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit të vitit që shkoi, tani Komisioni i Venecias do të shqyrtojë pyetjet për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Shkresa e firmosur nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi përfshin pyetjet e socialistëve dhe opozitës parlamentare. Kuvendi e pyet Venecian nëse Presidenti ka të drejtë të mos betojë gjyqtarët kushtetues, kërkesë që lindi për përplasjen mes insitutcioneve për Marsida Xhaferllarin dhe Arta Vorpsin.
Komisioni i Venecias do të japë opinionin për pyetjet: Sa e rëndësishme për legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese është që secili nga organet e ngarkuara nga Kushtetuta në procedurën e emërimit të gjyqtarëve kushtetues (Këshilli për Emërimet në Drejtësi, Kuvend, President i Republikës dhe Gjykata e Lartë) të ndjekin në mënyrë rigoroze procedurat e përcaktuara në Kushtetutë dhe në ligj?
Pyetjet lidhen edhe me përplasjen që presidenti Meta pati me KED, që bën vlerësimin e kandidatëve për në Gykatë Kushtetuese.
Gjithashtu, një pyetje tjetër që i është drejtuar Komisionit të Venecias lidhet me mekanizmat zhbllokues në emërimin e funksionarëve të lartë të drejtësisë, duke përfshirë edhe Gjyqtarët Kushtetues.
“ABC News” ka mësuar se Komisioni i Venecias do ta shqyrtojë çështjen në mbledhjen e marsit. Deri atëherë Kuvendi do të “pezullojë” shkarkimin e Presidentit Meta, proces i nisur zyrtarisht në muajin qershor.