TIRANË- Reforma zgjedhore duket se do të vijojë të jetë një rast, i cili me sa duket do të mbajë të të ndezura akuzat dhe kundër-akuzat brenda grupimeve të Partisë Demokratike.
Kryetari i grupit parlamentar, Gazment Bardhi ka kërkuar të bëhet ndryshimi i bashkëkryetarit, por para se të ndodhë kjo, ai ka caktuar një kusht ku kërkon largimin e Enkeljed Alibeajt dhe zëvendësimin e tij me Oerd Bylybashin.
Ish-kryetari i KQZ, Kristaq Kume tha se sherret brenda opozitës të lënë shije të hidhur, por kjo nuk duhet të zhvendosë nevojën urgjente për të bërë ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Ai u shpreh se Komisionet Parlamentare për Reformën Zgjedhore duhet të nisin punën dhe fokusi duhet të vihet tek puna e tyre dhe jo tek sherret e grupimeve të PD.
“Ky është një problem, i cili është dashur të zgjidhet në fund të çdo problemi tjetër, për mua s’ka rëndësi fare se kush është bashkëkryetar i reformës zgjedhore, por se çfarë ky komision do të trajtojë dhe të realizojë. Ajo që po ndodh, është reflektim i situatës që po kalon opozita shqiptare. Një situatë, që të lë një shije të hidhur se kush e ndjek, por ajo çdo ditë e më shumë po prodhon efekte në zhbërjen e efekteve të opozitës. Shikoni se çfarë ndodhi sot në Kuvendin e Shqipërisë, ne sot jemi duke parë se kush artikulon më shumë akuza për shokun e vet të kahut politik dhe kjo është situatë dëshpëruese. Qytetari është i interesuar që Kuvendi të kryejë detyra që ka marrë përsipër dhe për sa kohë ky kuvend ka vendosur për të ngritur komision parlamentar për reformën zgjedhore dhe duhet të gjithë vëmendja duhet t’i kushtohet punës së këtij komisioni”, tha ai.
Gjatë intervistës në “Tirana Live”, Kume tha se Komisioni duhet të mblidhet sa më parë dhe të adresojë të gjitha shqetësimet që janë ngritur jo vetëm nga OSBE-ODIHR, por dhe nga vetëqytetarët shqiptarë.
Ai shtoi se reforma zgjedhore duhet të jetë produkt i vullnetit të të gjithë aktorëve politikë dhe jo-politikë në vend.
“Sa më shpejt ky komisioni të mblidhet, sa më parë dhe sa më shpejt të na tregojë se çfarë do bëjë dhe ta bëjë sa më mirë punën e tij. Komisioni i reformës zgjedhore duhet të jetë pika, në të cilën të grumbullohen pastaj të gjitha produktet e ardhura si kontributet e aktorëve politikë dhe jopolitikë në vendin tonë. Të tregojnë seriozitet. Të trajtojnë çështjet siç janë kërkuar jo vetëm nga OSBE-ODIHR, por siç janë kërkuar edhe nga qytetarët shqiptarë dhe nga forcat politike”, tha ai./n.m.abcnews.al