Ka nisur mbledhja e Komisionit për Reformën Zgjedhore, e cila po zhvillohet online. Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri i ka dhënë fjalën kreut të partisë Aleanca Demokratike, Eduart Abazi, pasi krerët e tjerë të partive të vogla nuk ishin prezentë.
“Këto janë dhe partitë e përfaqësuara në Reformën Zgjedhore, zoti Mediu, zoti Duka dhe zoti Dule janë anëtarë të Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe mund të marrin pjesë kur të duan, pasi mund të ngrenë zërin dhe për ata që nuk janë pjesë”, tha Gjiknuri.
Më pas Abazi ka nxjerrë në pah problematikat e çdo sistemi zgjedhor, duke theksuar se duhet votimi elektronik dhe lista të hapura.
Sakaq, ai ka evidentuar se një tjetër problem është dhe regjistrimi i subjekteve zgjedhore.
“Ne kemi qenë shumë aktiv me problemet tona, duke i paraqitur gjithmonë. Po e filloj me pikën e parë. Shpesh kemi artikuluar a janë votat e njëjta apo barazia e votës, kërkojmë të bëhet një modul për vlerësimin e votave në mënyra të barabartë. Është hequr sistemi i balotazhit dhe ne e ndjejmë këtë shqetësim. Mund të shikohet kjo dhe të moderohet sepse ku ka garë duhet të ketë dhe barazi.
Shqipëria brenda një harku kohor 10-12 vite, kishte nevojë për të siguruar një pjesëmarrje të lartë të së drejtës së votës. Ky ishte problemi i parë dhe do të shtoja deri në vitin 2005 ne kishim probleme me sistemin maxhoritar.
Problemi tjetër për administrimin e zgjedhjeve që ka ndodhur gjatë proceseve zgjedhore. Së fundmi, edhe kërkesa nga OSBE/ODIHR, them se ka ardhur koha të hiqet dorë nga makthi i votimit. Prandaj le të aplikohet dhe votimi elektronik që shqiptarët të dalin nga ai ngërç i procesit zgjedhor. Problemi tjetër janë listat e hapura dhe për këtë është bërë një debat i madh. Por sa i aplikuar është ky proces? Po të vini re, aty thuhet se herësi në atë masë nuk paraqet barazinë e votës. Prandaj, shqiptari duhet ta dijë kë voton dhe kush shkon në Kuvend.
Problemi tjetër është siguria e votës. Unë po sjell në vëmendje vetëm një element, në Shqipëri është hequr sistemi i balotazhit, pasi ndodh me 10 deri në 30% të votave që një drejtues në nivel lokal bëhet drejtues i qytetarëve. Balotazhi duhet të ekzistojë. Në fund mund të ngelen dy veta që më pas njëri të marrë shumicën. Problem ngelet regjistrimi i subjektit. Nëse do të thoshim për koalicionet, do të thoshim që është 7 mijë firma mbështetëse dhe është diçka që ndikon te mënyra e menaxhimit deri te gara zgjedhore”, tha Abazi./abcnews.al