Trajneri i Partizanit, Skënder Gega dhe futbollisti Bruno Telushi janë pezulluar respektivisht me 2 dhe 4 takime për protesta dhe sjellje jo sportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Tirana dhe Skënderbeu dënohen me gjobë për sjellje të gabuar të tifozëve.
Partizani merr një goditje të rëndë nga Komisioni i Disiplinës. Shkalla më e lartë e drejtësisë sportive në Shqipëri ka dënuar trajnerin e të kuqve, Skënder Gega me dy ndeshje pezullim për shkak të protestave ndaj zyrtarëve të ndeshjes mes Partizanit dhe Laçit.
Trajneri Gega do të mungojë në takimin ndaj Flamurtarit në fundjavë dhe në derbi ndaj Tiranës. Gjithsesi të kuqtë mund të paguajnë për uljen e dënimit në mënyrë që të jetë i gatshëm për sfidën ndaj Tiranës.
Dy takime mjaft të rëndësishme për kryeqytetasit. Nuk përfundon me kaq dënimi për Partizanin pasi Bruno Telushi është pezulluar me katër ndeshje nga të gjitha aktivitetet.
Në vendimin e Komisionit të Disiplinës shkruhet se futbollisti i Partizanit dënohet për shkak të sjelljeve jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes ashtu sikurse trajneri Gega. Bruno Telushi do të humbë katër takimet e radhës për Partizanin, ndërkohë që do të jetë i gatshëm për ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Luftëtarit.
Nuk shpëton as Tirana dhe Skënderbeu që dënohen me 100 mijë lekë gjobë për sjellje të gabuar të tifozëve./ABC News Albania 24/7