Komisioni i Disiplinës në FSHF dënon ekipin e Këlcyrës

schedule20:03 - 15 Dhjetor, 2017

schedule 20:03 - 15 Dhjetor, 2017

Komisioni i Disiplinës në FSHF dha ndëshkim mjaft të rëndë ndaj ekipit të Këlcyrës, që dhunoi në grup arbitrin në ndeshjen me Përmetin.

Ekipi i Këlcyrës u pezullua nga gara për pjesën e mbetur të kampionatit në kategorinë e dytë, ndërsa ndeshja ku ndodhi incidenti i rëndë u deklarua e humbur në tavolinë 3-0 në favor të Përmetit.

Tre futbollistë të ekipit të Këlcyrës, Entilion Kamberi, Renis Spahiu dhe Kamber Kamberaj u përjashtuan përgjithmonë nga pjesëmarrja në çdo aktivitet futbollistik, ndërsa 4 futbollistë të tjerë që dhunuan gjithashtu arbitrin u pezulluan me nga 24 muaj nga aktiviteti sportiv.

Ndëshkim pati edhe për zyrtarin e ekipit të Këlcyrës, Robert Spahiu. Ai u pezullua për 1 vit nga aktiviteti sportiv dhe u dënua me 200 mijë lekë gjobë për nxitje të dhunës ndaj arbitrit.

Incidenti i rëndë në ndeshjen Përmeti-Këlcyra ndodhi në 10 dhjetor, pasi arbitri Albi Paço akordoi 11 metërsh në favor të Përmetit në minutën e 82’. Menjëherë, lojtarë dhe zyrtarë të ekipit të Këlcyrës sulmuan fizikisht arbitrin duke e dhunuar barbarisht gjë që çoi në ndërprerjen e ndeshjes./abcnews.al