Komisioni i 6 janarit: Trump inkurajoi aktivisht protestuesit

schedule15:33 - 22 Korrik, 2022

schedule 15:33 - 22 Korrik, 2022

Komisioni që po heton sulmin e 6 janarit në Kongres përfundoi raundin e tij të parë të dëgjesave publike të enjten me analizë minutë pas minutë të veprimeve të ish-presidentit Donald Trump gjatë sulmit ndaj Kapitolit. Siç njofton korrespondentja e Kongresit të Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, hetimi ofroi një perspektivë të re mbi veprimet e ish-presidentit.

Njëqind e tetëdhjetë e shtatë minuta – koha mes fundit të fjalimit të ish-presidentit Trump në tubimin Stop the Steal dhe kohës kur ai publikoi një mesazh të regjistruar duke u thënë mbështetësve të tij të largoheshin nga Kapitoli.

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara, i cili kishte bërë betimin ndaj Kushtetutës dhe kishte detyrën për të siguruar zbatimin e ligjit, nuk ndërmori asnjë veprim kur baza e demokracisë sonë, kalimi paqësor i pushtetit ishte nën sulm”, tha ligjvënësja demokrate Elaine Luria.

Në një seancë përmbyllëse publike, shtatë demokratët dhe dy republikanët në komision thanë se zoti Trump jo vetëm që dështoi të vepronte gjatë sulmit në Kapitol, por ai vazhdoi të inkurajonte aktivisht rebelët që të përmbysnin numërimin e votave elektorale.

“Turma po përmbushte qëllimin e Presidentit Trump. Pra, sigurisht që ai nuk ndërhyri. Presidenti Trump nuk veproi gjatë 187 minutave ndërmjet largimit nga tubimi dhe thirrjes që turma të shkonte në shtëpi. Dhe ai zgjodhi të mos vepronte”, tha ligjvënësi republikan Adam Kinzinger.

Ish-presidenti Trump e ka kritikuar punën e komisionit, duke e quajtur atë të pabalancuar dhe të padrejtë. Por të enjten, vetë këshilltarët e tij, që dhanë dorëheqjen për shkak të sulmit në Kapitol, dëshmuan se ai nuk ishte i gatshëm të ndalonte dhunën ndërsa ndiqte sulmin në një televizor në Shtëpinë e Bardhë.

“Nëse presidenti do të kishte dashur të bënte një deklaratë dhe t’i drejtohej popullit amerikan, ai mund të kishte dalë në kamera pothuajse menjëherë”, tha Sarah Matthews, ish zëvëndës sekretare e shtypit të Shtëpisë së Bardhë.

Në vend të kësaj, ish-presidenti shprehu në Twitter pakënaqësinë e tij me nënpresidentin e tij, Mike Pence, për mospërmbysjen e rezultateve të zgjedhjeve.

Në deponimet e regjistruara, këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se zoti Trump nuk bëri asnjë përpjekje për të thirrur udhëheqësit ushtarakë ose të zbatimit të ligjit për të ndaluar sulmin.

“Si e kaloi atë pasdite kohën Presidenti Trump? Fillimisht u ul në dhomën e ngrënies dhe telefonoi senatorët për t’i inkurajuar ata të vononin çertifikimin”, tha ligjvënësja demokrate Elaine Lauria.

Edhe një ditë pas sulmeve, zoti Trump nuk e dënoi dhunën pa mëdyshje, në daljet me një fjalim të regjistruar.

“Nuk dua të them se zgjedhjet kanë përfunduar. Thjesht dua të them që Kongresi ka çertifikuar rezultatet pa thënë se zgjedhjet kanë mbaruar.”

Komisioni pritej të përfundonte hetimin e tij me këtë seancë, por nënkryetarja Liz Cheney tha se informacione të reja janë ende duke ardhur gjë që do të zgjasë punën e tyre deri në shtator.

“Donald Trump injoroi betimin e tij në detyrë për të injoruar dhunën e vazhdueshme kundër forcave të zbatimit të ligjit që kërcënonte rendin tonë kushtetues. Nuk ka asnjë mënyrë për të justifikuar këtë sjellje. Ishte e pafalshme”, tha ligjvënësja republikane Liz Cheney.

Komisioni nuk ka fuqinë për të ngritur akuza ndaj zotit Trump për ndonjë krim, por ai mund të përdorë informacionin që ka grumbulluar për t’i bërë një rekomandim Departamentit amerikan të Drejtësisë./VOA