Komisioni Evropian: Ekonomia shqiptare, e qëndrueshme/ Do të zgjerohet me 3.8% këtë vit, shtysë nga turizmi

schedule14:23 - 15 Nëntor, 2024

schedule 14:23 - 15 Nëntor, 2024

Ekonomia e Shqipërisë pritet të rritet me rreth 3.8% këtë vit. Janë këto parashikimet që bën Komisioni Europian në raportin e fundit ku shton se zgjerimi do të mbështetet nga turizmi dhe konsumi. Ndër të tjera, vlerëson uljen e nivelit të borxhit publik, për të cilin qeveria pret që vitin e ardhshëm të zbresë ne 55.8%.

Ndërkohë, për dy vitet e ardhshme ecuria ekonomike pritet të rritet me ritme më të ngadalta. Ndërsa si risqe për ekonominë evidentohen luhatjet e kursit të këmbimit dhe mungesa e fuqisë punëtore.

Ndërsa sa i takon ekonomisë në Bashkimin Europian, Komisioni thotë se do të ketë një zgjerim me vetëm 0.9% për këtë vit. Sfidë mbetet inflacioni që sipas Komisionit vitin e ardhshëm pritet të shkojë pranë objektivit, por vendet e unionit janë të cenueshme veçanërisht nga tensionet e reja gjeopolitike.

Janë këto vlerësimet e fundit të Komisionit Europian sipas të cilit inflacioni në vitin 2025 pritet të bjerë në mënyrë dramatike me çmimet që mund të rriten mesatarisht me 2.4%, duke afruar normën me objektivin e Bankë Qendrore Europiane prej 2%.

Situata në BE

Papunësia në Bashkimin Europian arriti një nivel të ri historik të ulët prej 5.9% në tetor. Por, zyrtarët e Brukselit janë të shqetësuar për një shpërthim të mundshëm të një lufte të re në tregtinë globale në një kohë që qytetarët europianë janë ende duke kursyer në vend që të shpenzojnë për shkak të goditjeve të fundit.

“Një rritje e mëtejshme e masave ekonomike proteksioniste nga partnerët tregtarë mund të prishë zinxhirin e tregtisë globale, duke rënduar mbi ekonominë e hapur të Bashkimit Europian”, thuhet ndër të tjera në raportin e Komisionit Europian.

Komisioneri i Ekonomisë së Bashkimit Europian, Paoli Gentilioni tha se zbatimi i tarifave të propozuara nga Donald Trump do të ishte I dëmshëm për të dyja ekonomike, por shtoi se blloku është gati të adresojë çështjen.

Shqetësimi më i madh i Bashkimit Europian është Gjermania. Ekonomia e saj tashmë në rënie, vitin e ardhshëm parashikohet të ketë një zgjerimin më të ngadaltë me vetëm 0.7%.

Aplikimi i tarifës Trump prej 10% për importet nga Europa, mund t’i kushtojë Gjermanisë 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto pasi vendi është I orientuar nga eksporti dhe ka një suficit të madh tregtar me SHBA.