Kombëtarja/ Sulmi mbetet “sikleti” i Sylvinho, lojtarët në formë “flirtojnë” me grumbullimin në Evropian

schedule12:36 - 30 Prill, 2024

schedule 12:36 - 30 Prill, 2024

Numërimi mbrapsht ka nisur. Finalet e Euro 2024 po afrohen, ndërsa deri te debutimi në Gjermani, detyra e parë e rëndësishme e teknikut Sylvinho është të plotësojë listën me futbollistët që do të marrë me vete në fillim gjatë fazës përgatitore në Austri dhe më pas në Kampionatin Evropian të Gjermanisë, Euro 2024.

Megjithatë, ashtu siç treguan miqësoret e marsit, dyshimet më të mëdha të teknikut “Kuqezi” lidhen më së shumti me sulmin, teksa janë vetë lojtarët ofensivë që në javët e fundit po ia bëjnë më të vështirë zgjedhjet teknikut brazilian, dhe këtë gjë po e bëjnë me mënyra të ndryshme, duke shënuar një mori golash e dhënë asistime të panumërta për shokët e tyre të skuadrës.

Ka nga ata si Manaj, Uzuni, Daku, Seferi e Muçi që po shënojnë me vazhdimësi, duke i dërguar sinjale të rëndësishme trajnerit të tyre e nëse për formën e këtyre të fundit, Sylvinho duhet të jetë i lumtur, zgjedhje të një mënyre tjetër duhet të bëjë me sulmuesit kuqezi që nuk po kalojnë një moment të mirë me skuadrat e tyre të klubeve.

Ky është rasti i Brojës, Mujës dhe Asanit, me këtë të fundit, që bën një përjashtim, pasi edhe edhe pse nuk po luan në Korenë e Jugut, ka treguar se është më shumë se i rëndësishëm për lojën e kombëtares, ndërsa nga ana tjetër, Broja po luan me pikatore te Fulham dhe tranferimi në Turqi nuk ka shpërblyer Mujën, të paktën nga ana sportive.

Për këtë arsye, zgjedhjet e Syvlinho në sulm janë edhe më të vështira, ndërsa dyshimet janë afër zeros sa i përket reparteve të tjerë, mirëpo, pavarësisht se ishte kundër, braziliani është “ndihmuar” jo pak nga UEFA, me këta të fundit, që pranuan të cojnë në 26, numrin e lojtarëve të lejuar, listën e grumbullimeve, që secila prej skuadrave finaliste mund të marrë me vete në Euro 2024. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!