Kombëtarja stërvitet në Pragë, “Kuqezinjtë” nisin përgatitjet për sfidën me Gjeorgjinë

schedule16:16 - 8 Shtator, 2024

schedule 16:16 - 8 Shtator, 2024

Me të vërtetë nuk ka kohë për të pushuar.

Futbolli profesionist është sikur të punosh në fabrikë, e ndoshta më keq për ngarkesën, dhe kombëtarja e Shqipërisë e ndjeu sërish këtë në Pragë.

“Kuqezinjtë” u stërvitën këtë të diel në kryeqytetin e Çekisë, pikërisht aty ku e nisën me fitore edicionin e Nations League duke mundur 2-0 Ukrainën.

Trajneri Silvinjo punoi më shumë me lojtarët që nuk luajtën ndaj ukrainasve, ose që u aktivizuan në pjesën e dytë si Medon Berisha apo Arbër Hoxha.

Njëmbëdhjetë futbollistët që nisën sfidën e së shtunës bënë vetëm seancë fizike pa top, pra thjesht një përgatitje e lehtë për të mos u mbingarkuar.

Silvinjo do të shikojë gjendjen fizike të kombëtares, për të parë se çfarë ndryshimesh duhet të bëjë për duelin e dytë në grup, në Nivelin B të Ligës së Kombeve.

Të tillë si Manaj, Laçi, Ramadani, Asani, Hysaj apo Bajrami patën ngarkesë të madhe kundër Ukrainës e ndoshta ndonjë prej tyre mund të kursehet këtë të martë ndaj Gjeorgjisë.

Ndërkaq, këtë të hënë, “Kuqezinjtë” do të zhvillojnë seancën e dytë dhe të fundit përpara duelit. /i.m /abcnews.al

Shikoni pamjet nga stërvitja: