Kombëtarja, sërish probleme me futbollistët

schedule19:55 - 26 Dhjetor, 2018

schedule 19:55 - 26 Dhjetor, 2018

Shumë nga lojtarët e kombëtares shqiptare po kalojnë një sezon të vështirë në skuadrat e tyre. Futbollistë si Hysaj, Mavraj, Xhaka apo Grezda nuk e kanë të sigurt të ardhmen.

Nuk mjaftuan telashet në Ligën e Kombeve. Pavarësisht nga konfirmimi në stol i Christian Panucci-t, kombëtarja shqiptare nuk pritet të jetë e gjetë gjatë vitit të ardhshëm. Disa nga lojtarët kryesorë janë në ngërç për të ndryshuar ekipin, apo në krizë për shkak se luajnë pak në skuadrat e tyre. Elseid Hysaj nuk besohet të rinovojë me Napolin, ndërsa e ardhmja në Serinë A nuk duket shumë e mirë.

Problemet me skemat e trajnerit Ancheloti vazhdojnë, aktivizimi nuk është gjithnjë i sigurt, ndërsa transferimi për tek Chelsea mund të mos ndodhë përpara verës. Mërgim Mavraj po ashtu mund të ketë një Janar të vështirë. Mbrojtësi i kombëtarës po bisedon për të ardhmen me klubin e tij, Arisin e Selanikut në Superligën greke.

Arisi besohet se dëshiron ta largojë, por kapiteni kuqezi ka kontratë, ndaj pritet përfundimi i bisedimeve. Eros Grezda po ashtu po kritikohet tek Glasgow Rangers. Lojtari i krahut po përpiqet të përshtatet sa më shpejt me stilin e lojës në Skoci, diçka që duket se do të kërkojë kohë, edhe pse ai ka shënuar dy gola deri tani në Premier Ligë.

Nuk dihet nëse trajneri Gerrard do të ketë durim ta mbajë, apo pritet një largim. Kritika edhe për Taulant Xhakën në Zvicër. Mesfushori shqiptar po kalon një krizë ashtu si edhe vetë Bazeli, që nuk është më superfuqia e dikurshme në Superligën vendase.

Pasi e fitoi 8 herë radhazi titullin, Bazeli doli vjet nënkampion, dhe është sërish në vend të dytë këtë vit, tepër i shkëputur nga Young Boys. Duken të largëta kohët e arta të Xhakës dhe të vetë Bazelit, ndonëse mesfushori është ende i ri, vetëm 27 vjeç.

Edhe më shumë probleme kanë dy shqiptarët e Belgjikës. Kristal Abazaj dhe Sidrit Guri treguan sërish mangësitë e mëdha të lojtarëve të Superligë, dhe nuk arritën të aktivizoheshin në skuadrat e tyre, Anderlecht dhe Ostende. Pritet që të largohen që aty, por kudo që të shkohet, ritmi i lojës është i lartë si në Belgjikë, ndaj dhe do të jetë e vështirë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!