Kombëtarja nuk ka fat në Izrael, humb 0-2

schedule22:58 - 14 Tetor, 2018

schedule 22:58 - 14 Tetor, 2018

Në fund, rëndësi kanë pikët dhe jo loja e mirë. Kështu thotë aksioma e futbollit, ndërsa kombëtarja shqiptare do të donte të kujtonte formulën tjetër, atë që pas lojës së mirë vijnë edhe rezultatet.
Duhet të presim gjithsesi, sepse rezultati këtë herë nuk ishte me ne, por me Izraelin që fitoi 2-0 në stadiumin e Haifës, duke iu afruar kualifikimit për në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve.

Kualifikim që duket i pamundur për ekipin e trajnerit Kristian Panuçi, pas njërës prej ndeshjeve më të mira të zhvilluara prej tij. Kombëtarja reagoi pas humbjes së rëndë në fushën e Skocisë, duke qenë më e mirë sesa izraelitët në pjesën më të madhe të kohës. Një lojtar i ri si Uzuni ishte vërtet zbulim, po ashtu Grezda u konfirmua si vlerë e shtuar, ndërsa Lilaj që zëvendësoi Bashën, dha një shtysë më shumë për lojën e kuqezinjve. Jo vetëm kaq, por edhe mbrojtësit e krahut, Hysaj e Binaku, shtynë përpara duke ndihmuar sulmin, ndërsa vendasit u detyruan të mbylleshin në gjysmëfushën e tyre. Shqipërisë së Panuçit, sidoqoftë, i mungoi gjëja më e rëndësishme, goli.

Nxitimi para portës kundërshtare ishte i madh, pra qetësia psikologjike u duk larg. Po ashtu, ekipi përfaqësues pati edhe fat, pasi portieri Strakosha bëri pritje të rëndësishme, ndërsa mungoi edhe pjekuria. Mbrojtja e një skuadre që pretendon vështirë se mund të pësojë gola, siç ishte i pari i izraelitëve. Pas tri ndeshjeve në grup, kombëtarja ka vetëm 3 pikë, golaverazh negativ, 1-4, por gjithsesi paraqitja në Haifa bën që Panuçi ta meritojë mundësinë për të vazhduar punën. Ndoshta do të jemi ndryshe në eleminatoret e Europianit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!