Kombëtarja shqiptare u nis drejt Izraelit, ku këtë të diel luan ndeshjen e radhës në Ligën e Kombeve. Skuadra ka tre ndryshime në krahasim me miqësoren ndaj Jordanisë.
Ka preferuar të përgatitet në Shqipëri. Trajneri i kombëtares, Kristian Panuçi, e ka kryer në kompleksin “Tropikal” në Durrës, seancën e fundit stërvitore përpara ndeshjes ndaj Izraelit.
Futbollistët kuqezinj i kanë dhënë dorën e fundit sidomos aspektit taktik dhe psikologjik në prag të sfidës tepër të rëndësishme, thuajse vendimtare për Ligën e Kombeve, ndërsa në Izrael shkojnë me 3 ndryshime.
I fundit që u largua nga grumbullimi ishte portieri i Partizanit Alban Hoxha, që shfaqi disa shqetësime fizike. Në vend të tij, Panuçi mori portierin e Shpresave, Elhan Kastratin. Një ditë më parë, nga ekipi u larguan për shkak dëmtimi mbrojtësi Veseli dhe mesfushori Ramadani, ndërsa në vend të tyre u thirrën mbrojtësi Ivan Balliu dhe mesfushori Sabien Lilaj.
Pas stërvitjes dhe shlodhjes, kombëtarja udhëtoi drejt Rinasit, prej ku u nis me avion çarter, në orën 14:30 drejt Izraelit. Ndeshja Izrael-Shqipëri luhet në stadiumin e Haifës këtë të diel në orën 20:45, ndërsa në grupin 3 të nivelit C të Ligës së Kombeve, kombëtarja ka tri pikë, po aq sa izraelitët dhe Skocia.
Ekipi kombëtar ka një fitore ndaj Izraelit në “Elbasan Arena” dhe një humbje në Gllazgou ndaj Skocisë./abcnews.al