Kombëtarja në sytë e specialistëve: Suksesi erdhi nga fryma e grupit, nuk jemi më ekip i vogël

schedule18:35 - 20 Nëntor, 2023

schedule 18:35 - 20 Nëntor, 2023

TIRANË- Pas kualifikimit, ekipi kombëtar i futbollit mund t’i lejojë vetes të cilësohet si i barabartë me ata që dikur cilësoheshin “ekipe të mëdha”. Sipas specialistëve, grupi i formuar nga Silvinjo është kompakt dhe duhet të synojë kalimin e grupeve vitin e ardhshëm dhe kualifikimin për në botërorin e 2026-ës.

Ish-futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Alban Tafaj tha se duke parë performancën dhe përbërjen e ekipit, Shqipëria nuk është më një kombëtare e vogël, por një skuadër luftarake, që mund të bëjë surprizën në çdo sfidë.

“Tashmë ekipi ynë kombëtar është një realitet. Nuk jemi më të vegjël. Ishim një grup i krijuar. Suksesi erdhi falë frymës së grupit. Ambiciet e grupit janë hap pas hapi dhe duhet të shohësh shortin dhe kundërshtarin. Unë jam i bindur që ky grup që jemi, duke qenë grup jo më i vogël, ndihemi më lart se mbase dhe kundërshtarët tanë që mund të na bien në grup”, tha ai.

Ai theksoi se fryma e grupit që ekziston tek kombëtarja është për t’u përshëndetur, ndërsa shtoi se diferencat në futboll nuk janë më si dikur.

“Në çdo zëvendësim të lojtarëve nuk sheh lojtar të trishtuar, por që hyjnë në fushë dhe kontribuojnë. Unë jam optimist që po të ruajmë këtë formë ne grupin e kalojmë. Diferencat në futboll nuk janë si dikur. Ne luajmë bukur dhe fitojmë”, tha ai.

I pyetur se cili prej lojtarëve ka spikatur në këndvështrimin e tij gjatë këtyre eliminatoreve, Tafaj dha këtë përgjigje:

“Një nga lojtarët me specifik është Mario Mitaj, mbrojtësi i majtë. Ka një qetësi dhe ftohtësi teknike dhe gjakftohtësi në lojë të jashtëzakonshme dhe ajo i fal shumë ekipit. Për mua është lojtar që do t’i shërbej ekipit, por këtë e veçoj për personalitetin që ka treguar në fushë”, tha ai.

Gjatë intervistës në “Special Report” me gazetarin Arlind Isa, ish-futbollisti foli dhe për Armando Brojën. Ai tha se Broja është një vlerë e futbollit tonë dhe çdokush duhet të japë kontributin e tij për ekipin tonë kombëtar, pavarësisht sfidave.

“Broja është vlerë e futbollit tonë dhe nuk e mohojmë kontributin e tij. Është vlerë, është pjesë ekipit kombëtar dhe është i rëndësishëm dhe çdokush që është aty. Atmosfera duhet të jetë ajo që është. Kjo kombëtarë është mbi gjithçka”, shtoi ai./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!