Kombëtarja në krizë dëmtimesh, mungesa të shumta ndaj Izraelit

schedule16:36 - 21 Gusht, 2018

schedule 16:36 - 21 Gusht, 2018

Kombëtarja shqiptare është në një krizë të vërtetë dëmtimesh në prag të fillimit të Ligës së Kombeve. Ekipi përfaqësues do të ketë mungesa, ndërsa disa lojtarë ende nuk kanë gjetur skuadër.

Shqetësimi është ndoshta më i madh se kurrë. Kombëtarja shqiptare vërtet humbi dy miqësore në nisje të verës, por ato ishin thjesht miqësore, ndërsa tani rrezikon në ndeshjet zyrtare.

Trajneri Christian Panucci me siguri thuajse të plotë do të ketë mungesa të shumta në dy përballjet e afërta të Ligës së Kombeve, ndaj Izraelit dhe në Skoci, përkatësisht në 7 e 10 Shtator.

Tronditja më e fundit erdhi nga dëmtimi i Odise Roshit. Lojtari i krahut, ndër më të rëndësishmit vitet e fundit, u lëndua rëndë në duelin Ahmat Grozni-Rubin Kazanj në Premier Ligën e Rusisë, dhe do të mungojë të paktën 6 muaj.

Kjo do të thotë se Roshi humb të gjitha ndeshjet e Ligës së Kombeve, ashtu si edhe sulmuesi kryesor i kombëtares, Armando Sadiku, që u dëmtua pak javë më parë, tek Levante në Spanjë. Trajneri italian shpreson që Taulant Xhaka të jetë në formën e duhur për ndeshjet e 7 e 10 Shtatorit.

Mesfushori kuqezi ishte i dëmtuar, por u kthye në fushë pak ditë më parë, në ndeshjen e Kupës së Zvicrës, që Bazeli e fitoi në fushën e Montlingenit. Më e vështirë për Eros Grezdën, të dëmtuar që nga Marsi, dhe që vetëm së fundmi është kthyer në stërvitje.

Nuk duhet harruar se të dëmtuar janë edhe Amir Abrashi dhe Sokol Cikalleshi. Mesfushori ende nuk ka mundur të stërvitet siç duhet me Frajburgun dhe nuk dihet kur kthehet në fushë, ndonëse ai u dha shpresë tifozëve me një video në Twitter-in e klubit.

Përveç këtyre problemeve, Panucci duhet të bëjë llogarinë edhe me lojtarë që janë pa skuadër si Mërgim Mavraj, Arlind Ajeti, Naser Aliji, Hysen Memolla apo Ivan Balliu./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!