Pas përfundimit të sfidave me klubet e tyre, “Kuqezinjtë” të udhëhequr nga tekniku Sylvinho kanë zbritur pasditen e kësaj të hënë, në fushat e “Shtëpisë së Futbollit, për të zhvilluar seancën e parë stërvitore në kuadër të dy miqësoreve të marsit, ndaj Kilit më datë 22 e ndaj Suedisë më datë 25, që janë edhe ndeshjet e para të Kombëtares Shqiptare për vitin 2024.
Trajneri publikoi listën e të grumbulluarve të premten, megjithatë në fushë pasditen e së hënës mungonte Qazim Laçi, i cili ishte në udhëtim nga Praga drejt Tiranës dhe nuk arriti dot në kohë, për t’iu bashkuar grupit. Në limite mbërriti edhe Nedim Bajrami, që zbarkoi në qendrën stërvitore të kombëtares në kohën kur shokët po zbrisnin në fushë, teksa u bashkua me ta disa minuta më vonë për një seancë të lehtë.
Mungonte gjithashtu edhe Naser Aliji, që luan pasditen e të hënës me skuadrën e tij, Voluntari, në elitën e futbollit rumun dhe më pas do të fluturojë drejt Tiranës, për t’u vënë në dispozicion të teknikut Sylvinho dhe stafit të tij.
Në seancën e parë stërvitore, Sylvinho mori edhe disa futbollistë nga Shqipëria U21 e Alban Bushit, duke qenë se futbollistët që luajtën të dielën me skuadrat e tyre, u lanë të kryejnë një seancë shkrydhëse, pa ngarkesën e zakonshme fizike. /i.m /abcnews.al