Kombëtarja humb “pjesët”/ Marash Kumbulla nuk luan në Ligën e Kombeve, u dëmtua në derbin ndaj Barçës

schedule12:47 - 5 Nëntor, 2024

schedule 12:47 - 5 Nëntor, 2024

Natyrisht, këto ndodhin në futboll. Çdo ekip, qoftë klubi apo kombëtar, vuan nga dëmtimet dhe Shqipëria pritet të ketë mungesa për ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve.

Rej Manaj është në dyshim dhe Marash Kumbulla jepet jashtë.

Sulmuesi, njëri ndër kryesorët te kuqezinjtë në mungesë të Brojës, u dëmtua në ndeshjen që ekipi I tij, Sivaspor, fitoi 4-2 në fushën e Adana Demirsporit.

Ylli kuqezi u la jashtë skuadre për sfidën pasardhëse të Superligës turke në 2 nëntor, kur Rizespor u mund 2-1.

Shpresa e fundit që ai të riaftësohet për duelet e kombëtares tani në nëntor mbetet ndeshja ndaj Fenerbahçes në datën 10.

Nëse do të jetë në ekip, atëherë trajneri Silvinjo mund ta thërrasë në grumbullim, nëse jo, duket e pamundur.

Kundër Çekisë dhe Ukrainës mungesë e sigurt jepet Marash Kumbulla.

Mbrojtësi kuqezi u dëmtua në derbin që Espanjoli e humbi 1-3 ndaj Barcelonës në kampionatin spanjoll, duke dalë nga fusha që në pjesën e parë.

Lojtari është jashtë ekipit dhe situata e tij do të ndiqet ditë pas dite, veçse mediat spanjolle shkruajnë se Kumbulla është e sigurt që nuk të jetë në përbërje të Espanjolit për ndeshjen e 9 nëntorit në La Ligë ndaj Valencias.

Nëse ndodh kjo, atëherë për të nuk do të ketë kombëtare këtë muaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!