Një fitore dhe një humbje ishin rezultatet e kombëtareve shqiptare të volejbollit. Skuadra e djemve triumfoi në Hungari, ndërsa vajzat u mundën në Tiranë nga Austria.
Orari ishte thuajse i njëjtë, përfundimi i kundërt.
Kombëtaret e Shqipërisë në volejboll patën një fitore dhe një humbje në sfidat e radhës të eleminatoreve të Europianit, me meshkujt që patën një reagim, ndërsa femrat nuk i bënë dot dy fitore radhazi.
Skuadra e djemve, e drejtuar nga trajneri Jani Melka, arriti një sukses të bukur në Budapest ndaj Hungarisë.
Edhe pse kuqezinjtë nuk e nisën mirë sfidën, duke humbur setin e parë me tri pikë diferencë, nuk u dorëzuan dhe ia dolën.
Me disa lojtarë profesionistë në radhët e tyre, ata fituan dy sete radhazi me shifrat 25-21, dhe të katërtin me diferencë prej vetëm dy pikësh.
Husaj, Malaj, Gjoklaj, Kola, Koçi apo Arapi ishin vetëm disa nga protagonistët, pasi të gjithë luajtën mirë.
Ky ishte një revansh pas disfatës së thellë, 0-3, pësuar në Bjellorusi, duke e lënë ekipin tonë me shpresë për të zënë të paktën vendin e dytë.
Në krye të grupit është e sigurt Kroacia, që duket shumë më e fortë sesa të tjerët.
Kroatët triumfuan 3-1 në Bjellorusi, pak ditë pasi mundën 3-0 Hungarinë.
Skuadra e femrave ndërkaq nuk e mbajti dot ritmin pas fitores 3-0 në Gjeorgji.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Altin Mërtiri u mposht thellë nga Austria në Pallatin e Sportit “Feti Borova” në Tiranë.
Vajzat mike treguan diferencë të madhe me shqiptaret duke e mbyllur ndeshjen me gati 20 pikë diferencë.
Bici, Marina apo Thaka u dukën pak.
Shqipëria e vajzave sidoqoftë është me shpresë për vendin e dytë që aktualisht mbahet nga Izraeli. /abcnews.al