UKRAINË– Situata në Ukrainë është përkeqësuar. Kështu theksoi komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Kievit, Oleksandr Syrsky, duke deklaruar se ushtria ruse ka arritur “suksese taktike”.
“Situata në front është përkeqësuar,” tha ai në një postim në “Facebook”. Ai shtoi se Rusia “po sulmonte përgjatë gjithë vijës së frontit” dhe ka arritur “suksese taktike në disa fusha”.
Rajoni i Zaporizhzhias në 24 orët e fundit është sulmuar nga forcat ruse 335 herë. Kjo u konfirmua në “Telegram” nga kreu i administratës ushtarake rajonale Ivan Fedorov.
Agjencia e lajmeve Ukrinform raportoi se në mesin e popullatës civile nuk ka pasur viktima.
“Në një ditë, pushtuesit sulmuan rajonin e Zaporizhias 335 herë, 129 dronë të llojeve të ndryshme sulmuan Huliaipole, Verkhnya Tersa, Levadne, Robotyne, Mala Tokmachka, Malynivka dhe Novoandriivka”, thanë autoritetet./ abcnews.al