Kolegët vlerësojnë Kadarenë: Shkrimtar i permasave botërore, shkollë letrare

schedule15:07 - 3 Korrik, 2024

schedule 15:07 - 3 Korrik, 2024

Kanë qenë pranë tij ndërsa ai krijoi, ishin dhe në momentin e fundit, gjatë përcjelljes për në banesën e fundit, miq e kolegë të shkrimtarit të Ismail Kadaresë.

Në lamtumirën e fundit për kolosin e letrave shqipe, shumë treguan ndikimin që ka patur krijimtaria letrare e Kadaresë tek ata.

“Ishte shkollë letrare.”

Fatos Kongoli, një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm shqiptar të pas viteve ’90, e cilësoi Kadarenë jo shkrimtar aspak të zakonshëm  e tregoi bisedat e takimet e fundit që kanë patur së bashku.

“Kadare është shkrimtar i madh i përmasave botërore. E kam adhuruar gjithmonë si autor Kadarenë dhe atëherë kur nuk më shkonte mendja të bëhesha unë shkrimtar. Vitet e fundit u miqësuam me njëri tjetrin. Kishim një mik të përbashkët dhe vila e Kadaresë në Qerret takoheshim shpesh. Më ndodhte të takohesha dhe në raste festash. Ismaili nuk është shkrimtar i zakonshëm. Është shkollë letrare”.

Edhe poeti Preç Zogaj iu bashkua homazheve dhe mesazheve për Ismail Kadarenë.

“Një shkrimtar i përmasave të tilla ia doli të realizohej në kushtet e tiranisë, kjo meriton shumë vlerësim. Shkrimtari që ka vetëdijen e dhuntisë, e talentit të madh, ka një mision që të ruaj dhuntinë. Kadare ndërtoi dhuntinë e tij, natyrore apo hyjnore, dhe e mbajti me vepra që themeluan letërsinë e re moderne.”

Ndarja nga jeta e Kadaresë, për poeten Rita Petro, nuk është ndarje prej tij pasi veprat do të vijojnë të jenë në shtëpitë e shqiptarëve.

“Shkrimtari Kadare do të vijojë të jetë mes nesh edhe kur ne të mos jemi. Nuk ka shtëpi pa një libër të Kadaresë. Madje dy ditët e para, 1 dhe 2 korrik, (Kadare vdiq më 1 korrik) qielli ishte shumë i ngrysur njëlloj si në romanet e Kadaresë. Ai donte një diell perëndimor. Është shkrimtari i të gjithë shqiparëve.”

Shrkimtarja dhe studiuesja letrare, Alda Bardhyli që I ka qëndruar pranë shkrimtarit Ismail Kadare vitet që ai jetoi në Tiranë, u shpreh edhe rreth momenteve të fundit që pati shkrimtari dhe brengat për atë që lë pas.

“Ka shpërfaqur një Shqipëri të jashtëzakonshme dhe fantastike që ne e gëzojmë sot falë penës dhe mendjes së tij. Kadare iku i qetë pasi ai mendonte se e kishte kryer atë që ishte shumë e rëndësishme për një shkrimtar, botimin dhe rishikimin e gjithë veprës së plotë. Kjo e bënte atë të qetë, besoj ka ikur pa brenga” 

Ishin dhe shumë personalitete të tjera të kulturës shqiptare, që i dhanë lamtumirën e fundit shkrimtarit Ismail Kadare.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!