TIRANË– Gazetari Trashëgim Sokolaj, i ftuar në emisionin “360 Gradë” në ABC News komentoi aksionin e fundit të ndërmarrë nga SPAK, i cili goditi bazat e kokainës në Qerekë të Fushë-Krujës dhe në “Kodrën e Diellit 2” në Tiranë.
Ai theksoi se hetimet për këtë grup kanë nisur një vit më parë.
Sipas tij, SPAK ka lejuar që ngarkesa e lëkurëve të gjedhëve, brenda të cilëve fshihej drogë të hynte në Shqipëri për të parë destinacionin dhe personat, që fshiheshin pas këtij trafiku ndërkombëtar të kokainës.
“Hetimet kanë nisur një vit më parë. SPAK i ka mbajtur në vëzhgim këto persona. Kanë sjell dy ngarkesa me lëkurë gjedhi. Nga ana operacionale, nuk është se ka kaluar në Portin e Durrësit dhe Portet italiane që nuk janë ditur, por ka qenë një karrem, që SPAK e ka krijuar se kush ishin personat që e nisën dhe kush e priste”, tha ai.
Operacioni i SPAK u ndërmor pasditen e 15 nëntorit 2024 me arrestimin e 7 shtetasve shqiptarë dhe 3 shtetasve të huaj, 1 kolumbian dhe 2 nga Venezuela.
GJKKO la në fuqi masat e sigurisë për 10 të arrestuarit si pjesë e grupit kriminal të trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine e cila pasi përpunohej në Shqipëri në një laborator të sofistikuar në fshatin Qerekë të Fushë-Krujës çohej drejt vendeve të Bashkimit Europian/abcnews.al