Kokaina në kontejnerët e “Alba Exotic”, lihet në burg pronari Eduart Dauti

schedule12:29 - 9 Prill, 2022

schedule 12:29 - 9 Prill, 2022

Gjykata e Posaçme ka lënë në burg Eduart Dautin, pronarin e firmës “Alba Exotic Fruit”, i cili është arrestuar për kokainën e gjetur në kontejnerët e kompanisë së tij.

Kujtojmë se ngarkesa e fundit me kokainë e “Alba Exotic Fruit” ra në rrjetat e policisë me 12 tetor në portin e Durrësit. Në një nga kontejnerët që vinte për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, është kapur një sasi prej 10 kilogramë e 185 gramë kokainë.

Kjo ishte e gjashta herë që në kontejnerët e kësaj kompanie gjendet kokainë. Hera e pestë ishte më 7 shtator, ku u kapën rreth 7.7 kg kokainë e ndarë në 8 pako. Saga nuk ndalet me kaq pasi më datë 26 dhe 29 korrik u gjetën sasira 5 deri në 7 kg kokainë te pjesa e ventilimit, dhe po ashtu edhe më datë 12.10.21.

Kujtojmë se në vitin 2019 kësaj firme iu kap në Greqi në portin e Pireut një ngarkesë prej 137 kg kokainë që si destinacion final kishte portin e Durrësit. Në atë kohë kokaina u zëvendësua me oriz nga DEA amerikane.

‘Alba Exotic Fruit’ është një kompani, e cila vepron në treg prej vitit 2011 dhe rezulton të jetë në pronësi Eduart Dautit dhe Barjon Gumenit. Ky i fundit u arrestua më 13 korrik, kur policia zbuloi ngarkesën prej 11.6 kilogramësh kokainë, për të cilën Gumeni u shpreh se nuk ka lidhje. /abcnews.al/