Koka: Mesazhet që dha Donika Prela për përgjimet e dosjes “339”

schedule22:21 - 7 Qershor, 2019

schedule 22:21 - 7 Qershor, 2019

Në një deklaratë për media drejtuesja e Prokurorisë së  Krimeve të Rënda Donika Prela, tha se dosja “339” ka 624 CD dhe 115 DVD përgjime të cilat kanë nisur që në vitin 2016. Prela i mëshoi faktit që dosja është voluminoze dhe deri me tani janë nën procedim 74 persona numër ky që do të rritet ne vazhdim.

I ftuar në “Mbrëmje Ide”, gazetari i kronikës Spartak Koka u shpreh se Donika Prela ka dashur të japë disa mesazhe me deklaratat e saj, fillimisht për të shfajësuar veten dhe e dyta për të adresuar tek dy prokurorët e parë (Anton Martini dhe Besim Hajdarmataj) përgjegjësinë e mos hetimit për shitblerjen e votave në  zgjedhjet e vitit 2017 dhe nxjerrjen e përgjimeve në media.

Mirela Milori: Shumë informacion, përgjimet e publikuara tek “Bild” . Pyetja është Prokuroria jonë nuk ka kapacitete dhe vitet e fundit është në nivele të ulëta të hetimit , apo e ka bykosur politika duke e përdorur si vegël?

Spartak Koka: Kapacitet edhe nuk janë nga pikëpamja administrative, por ka një qaravitje të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.  Është një dosje që ka nisur hetimi që në Dhjetor të vitit 2016. Për shkak të kompleksitetit të veprave penale të përfshira në këtë dosje, duhet të kishin një reagim më pro-aktiv.  Sot pamë drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda e cila u kujdes të theksonte se në kohën kur e kanë marrë dy prokurorët e fundit të çështjes janë bërë veprime hetimore cilësore. Por ka ngritur edhe disa pikëpyetje të cilat lidhen me hetimin, por edhe me nxjerrjen e sekretit hetimor.  Sepse janë 3 vjet hetime  pa konkretizim dhe normalisht  që në këto kushte do të shpërthejnë edhe  publikimi i  përgjimeve të cilat  sigurisht do të përdoren nga forcat politike, sepse u intereson të përdorin informacion kundër kundërshtarit të tyre aq më pak kur kemi të bëjmë me krim të dyshuar elektoral.

Mirela Milori: Duke qenë se e konsideron si dosjen më të madhe në historinë e Prokurorisë shqiptare , 74 persona në hetim ku jepen të dhëna dhe duket si një deklaratë që humbet mes shifrave , janë 624 CD dhe 115 DVD , përgjime që kanë nisur që në vitin 2016 dhe ndoshta ka njerëz që duhet të zbardhin përgjimet. Nga ana tjetër ne shohim të “Bild” që jo vetëm i zbardh përgjimet në anglisht dhe gjermanisht , por edhe me titra shqip, dëgjojmë edhe audion shqip. Pra mungon logjistika, por mungon edhe kapaciteti njerëzor dhe nëse është kjo logjistikë mund të vihet në përdorim?

Spartak Koka: Mund ta përkthejmë fjalë për fjalë se çfarë tha Donika Prela sot. Që nga pjesa e parë, u kujdes të thoshte se ishte Anton Martini prokurori i parë, i cili e kishte referuar çështjen dhe e hetonte çështjen për dy vepra penale “prodhim shitje narkotikësh” dhe “trafikim të lendeve narkotike”. U kujdes të thoshte se përgjatë një viti hetim të bërë nga Anton Martini, pavarësisht se kishte përgjime brenda dosjes për përfshirje në shit-blerjen e votave , nuk u krye asnjë veprim i hapur  për të provuar thëniet në përgjimet telefonike se kishim të bënim me shitblerje të vota-ve. U kujdes gjithashtu të deklaronte se dosja kaloi më pas tek Besim Hajdarmataj, prokurori i dytë i çështjes dhe në këtë rast, drejtuesja e Prokurorisë Donika Prela, u  kujdes të tregonte se edhe në këtë rast, se nuk është bërë sipas saj asnjë veprim i hapur për të provuar veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve publikë apo të të zgjedhurve vendorë, apo për të provuar shitblerjen e votave përgjatë zgjedhjeve të viti 2017. Ndërkohë deklaroi se është bërë punë voluminoze dhe u fut në ato shifrat që ju thatë por pa asgjë konkrete. Edhe një aspekt tjetër, ajo deklaroi për t’u mbrojtur se transkriptimet e CD-ve janë bërë pjesore deri në Shtator të vitit 2018  dhe ato që kanë dalë në media janë ato përgjime të transkriptuara para se të merrej nga dy prokurorët aktual të dosjes. A ka një problematikë që këtu nuk funksionon? Të gjithë shqiptarët e dinë tashmë se në këtë dosje ka një reagim shumë të madh, një presion shumë të madh dhe mund të jetë administrativ apo mund të jetë politik ne nuk e dimë. Ne dimë që në vitin 2017 është diskutuar fort për këtë dosje dhe u komentuan në atë kohë se pse u transferua Anton Martini  si prokuror i çështjes në fjalë i dosjes “339” e vitit 2016 , se përse u transferua në Nëntor të vitit 2017 si drejtues i Prokurorisë së Shkodrës. Këtu kishte pikëpyetje të mëdha.

Mirela Milori: Mendon që ka një simbiozë le të themi dhe mes mungesës së logjistikës dhe mes mungesës së kapaciteteve , por edhe mes ndërhyrjes së politikës. Kjo reforma në drejtësi që ne po presim, do ta vërë në trakun e duhur në shinën e duhur Prokurorinë? Apo përsëri do të jetë një riciklim i situatës me makiazh tjetër, kur t’iu duhet, politika do ia gjejë anën ta përdori  dhe tjetra  këto dosje do të flenë në prokurori dhe do ti lexojmë ne në media. Dhe kur të mos i duhen politikës do të kemi dosje edhe më të rënda dhe ne nuk e dimë fare sepse janë në hije.

Spartak Koka: Tani kjo dosje ka marrë shumë koka në pikëpamjen e emërimeve , shkarkimeve apo dorëheqjeve të krerëve të institucioneve të ndryshme. Vetëm t’iu kujtojmë dorëheqjen ende sot misterioze të Fatmir Xhafajt , si ministër i Brendshëm dy ditë pas arrestimit të 44 vetave të kësaj dosje , tregon për çfarë përfshirje politike ka në këtë çështje. A ka kapacitete Prokuroria sot? Donika Prela dhe drejtuesja e Prokurorisë së Përgjithshme Arta Marku duhet të ishin shumë më të vendosur para disa muajsh dhe të mos dilnin sot të qarraviteshin që nuk kemi mundësi. Por, ti kërkonin me vendosmëri Parlamentit, deputetëve, Presidentit po ashtu, që t’iu garantonin infrastrukturën e nevojshme  për dhënie përparësi këtij hetimi. Çdo zvarritje hetimi, nuk sjell drejtësi është drejtësi e mohuar, sepse provat mund të zhduken dhe nuk do të kemi një vënie drejtësie në vend për këtë skemë të dyshuar të korrupsionit, apo për këtë skemë të dyshuar të përfshirjes së grupeve të strukturuara kriminale , në blerjen e votave por edhe në ndikimin në administratën politike dhe publike  të qarkut Durrës. Politike flas për strukturat drejtuese të PS-së dhe publike flas për  ndikimin në vendimmarrjen e bashkisë së Durrësit apo në bashkinë e Shijakut, sikurse dolën nga përgjimet.

Mirela Milori: Pretendimi i Prokurorisë është që prishet hetimi , duke qenë se dosja po del me pjesë dhe është pretendim i Prokurorisë dhe i PS-së, se kjo gjë dëmton hetimin. Mendon se vërtetë e dëmton hetimin , sepse mund të këtë një kthesë dramatike po të hetohej e tëra sepse nuk do dihej se si do të dilet deri në fund, ku të mirët do dilnin të këqij dhe të këqijtë do dilnin të mirë?

 Spartak Koka: Teorikisht ka një farë të drejtë, por praktikisht ka një mungesë sensi logjik.  Prokurorja Prela vetë e pranon se nuk janë bërë veprime të hapura për të provuar veprat penale të shit-blerjes së votave,  të korrupsionit pasiv  nga ana e të zgjedhurve vendorë  apo edhe ushtrimit të ndikimit të paligjshme gjatë viti 2017 dhe viti 2018. Prokurorja Prela pranoi se me ato prokurorë që ka patur më parë ka dështuar të sigurojë provën konkrete. Nga ana tjetër thotë që të bllokohet dalja e këtyre përgjimeve. Për cilat përgjime po flasim? Po flasim për ato përgjime të 2017 dhe 2018 ku subjekte e përfshira në këto përgjime janë vënë në dijeni se kush ka qenë i përgjuar. Por nëse mund të flasim për përgjime që mund të jenë të ditëve të sotme apo të muajve të fundit të cilat mund të prishnin provën atëherë mund të cënohej hetimi. Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Prokuroria e Përgjithshme, kanë në mungesë strategjie të komunikimit publik dhe  po tregohen amatorë  përsa i përket  nxjerrës së strategjisë së saj hetuese,  për fakte të caktuara dhe për dosje të caktuara dhe ka rënë në këtë kontradiksion logjik  edhe mbi të gjitha ligjor . Sepse nga njëra anë pranon se nuk u arritën të siguroheshin provat në 2017 dhe thua nga ana tjetër kërkon të mos dalin përgjimet e 2017, për të cilat subjekte e përgjimeve janë vënë në dijeni  në rrugë të ndryshme. Por çfarë provash do të sigurosh? Për ti konkretizuar  përgjimet e 2017, për shit-blerjen e votave në prova dhe fakte tashmë është shumë vonë.

“Mbremje Ide” i ftuar Spartak Koka

Mirela Milori: A mendon se reforma në drejtësi do ta tundi prokurorinë, apo do ketë makiazh?

Spartak Koka: Sot jemi në një rreth vicioz ku prokurorët nga njëra anë  kanë frikën si do iu shkojë çështja e vettingut, mendojnë  të marrin masa apo mos të marrin. Ata janë në dilemën si të hetojmë dhe sa të hetojmë nga frika si do shkojnë gjërat. Ne e dijmë se këtu ka prokurorë apo drejtues policie që kanë bërë punë me përkushtim, profesionalizëm dhe devotshmëri dhe janë nxjerrë në rrugë bashkë me familjet e tyre dhe  ata janë detyruar të emigrojnë, për shkak se nuk iu është ofruar asnjë lloji mbrojtje. Çfarë garancie iu ofrojmë ne si shtet që të bëhen hetimet të mira , proaktive dhe të mbrohen këta prokurorë?!

Mirela Milori: Deri tani garancitë janë apo janë zero?

Spartak Koka: Unë mendoj se garanci nuk ka, për të bërë hetime të mira, pavarësisht se nuk dua të paragjykojë dy prokurorët  e çështjes në fjalë që kanë një eksperiencë të gjatë si prokurorë. Por a do mund ata Mara dhe Prenci bashkë me prokurorin e tretë që po heton nxjerrjen e sekretit hetimor që të konkretizojnë hetimet kjo mbetet për tu parë. Kemi një prokurori që është e pamundur të veprojë cilësisht për të zbërthyer këto vepra kriminale të cilat cënojnë rëndë funksionalitetin e demokracisë në vend. Për sa kohë ne e dijmë që flitet në vendin tonë në të gjithë këtë periudhë tranzicioni për shit-blerje të votave dhe ndikimit të grupeve kriminale në zgjedhje, por asnjëherë të provuar, kjo dosje do ishte një ogur i mirë për të ndërmarrë një reformë, se si ti largojmë grupet kriminale nga vendimarrja politike dhe përfshirja e tyre në fushata zgjedhore.

Mirela Milori: Trysnia e madhe vjen nga politika, sepse politika dhe krimi janë të lidhura kaq fortë sa ndikojnë deri në punën e prokurorisë apo është vetëm politika dhe shantazhi i krimit nga njëra anë?

Spartak Koka: Grupet kriminale në Shqipëri janë subjekte me kuptim të dyfishtë, për shkak të karakterisitkat e grupimeve  politike, me një shtrirje territoriale të caktuar, me një grup administrativ, me rregulla të struktura të funksionimit. Nga ana tjetër ndihmojnë në vendimarrjen, në përzgjedhjen e kandidatëve  dhe menaxhimin e pushtetit. Pra ndihmojnë në fushatat zgjedhore; ndihmojnë në përzgjedhjen e kandidatëve sepse përgjimet e fundit treguan se ata ndihmojnë dhe japin indicie për përzgjedhjen e kandidatëve për pushtetin vendor; ndihmojnë në menaxhimin e pushtetit pasi fitohet dhe shpërndarjen e burimeve financiare  duke u bërë  protagonistët kryesorë të lejeve të ndërtimit në pushtetin vendor apo të tenderave.

Mirela Milori: Të flasim pak më realisht,  për këtë Shqipërinë informale ku paraja informale është prezente prej vitesh.

Spartak Koka: Realisht po flas për dy fenomene prezente në shoqëri; prodhimin mafioz të politikës dhe prodhimin politik të mafies. Këto janë dy fenomene që ne i ndeshim përditë.

Mirela Milori: Sa e lehtë është për tu arritur që të goditen këto të dyja? Duke e parë si film nga jashtë mund të duket shumë e lehtë. Sa e vështirë është , pasi ka 30 vjet që punohet kjo lloji paraje, ka 30 vjet që punojnë këto linja, të cilat erdhën në fillim si linja dytësore dhe tanimë mund të jenë bërë dhe linja kryesore. Të cilat ndonjëherë nuk afrohen këta te politika , por ju shkon politika tek ata. Pra është një rreth vicioz i një marrëdhënie të dyfishtë që nuk do ta kuptojmë ndoshta dhe do duhet një studim dhe një investigim shumë i thellë. Duke e parë kështu , sa e lehtë është kjo ? A mund ta bëj vetëm një prokurori  që duke i dhënë statusin , kalove vettingun dhe vazhdo e bjeri, si mund të arrihet?

Spartak Koka: Që grupet kriminale këtu  kanë evoluar duke kaluar nga vetëm trafikimi i lëndëve narkotike duke u marrë dhe me pushtetin politik, me tenderat publik që jepen sot, apo me lejet e ndërtimit ky është një fakt i pranishëm në vendin tonë që në vitet 2004-2005 ku grupet e strukturuara kriminale filluan të ndryshojnë fizionominë e tyre  dhe të kuptonin se sa e rëndësishme është për ta, të ishin pragmatist për të kuptuar se cila forcë politike do vinte në pushtet apo cili kandidat për kryetarë bashkie  kishte potencialet për të ardhur në pushtet, për ta shfrytëzuar  më pas mbështetjen që do i jepnin një kandidati për përfitime nga qeverisja lokale apo qëndrore .Do jetë shumë e vështirë që situata të ndryshojë pa patur një vullnet politik të qartë të të gjitha forcave politike.

Mirela Milori: Përsëri politika, duhet vullneti politik në sfond?

Spartak Koka: Po kjo drejtësi është nën hyqmin apo frikën e politikës, pasi çdo veprim i prokurorëve që do cënonte interesa madhore të një partie politike që është në pushtet, mund të sillte për pasojë transferimin e tyre apo uljen në detyrë apo dhe persekucione të tjera të cilat do dëmtonin ushtrimin e ligjshëm dhe cilësorë të detyrës së tyre.

Mirela Milori: A ka dosje të tjera përveç asaj 339 dhe 184 të kësaj natyre për krim elektoral dhe shitblerje të votive? A mendon se do ketë informacione të tjera?

Spartak Koka: Këtu në vitin 2017 ka patur me dhjetra materiale të referuar në prokuroritë e rretheve gjyqësore  për shitblerje të votave. Ajo që ka munguar në atë periudhë dhe sot është hetimi i këtyre dosjeve. Ne nuk dijmë asnjë rast të hetuar dhe të provuar nga prokuroria për shitblerje të votave për 2017. Pavarësisht faktit se në 2017 në disa raste u dërguan në prokurori nga kandidatë të caktuar edhe pamje filmike se si blihej vota dhe si bëhej pazar me votën. Këto çështje u zvarritën ose u pushuan hetimet për arsye proceduriale. Pra këtu ka munguar vullneti për të hetuar këtë krim elektoral,  i cili për shumë drejtues të pushtetit vendor është kthyer në një gjë normale, ata nuk bëjnë dot pa grupet kriminale por dhe krimi nuk bën dot pa ta, në këtë simbiozë për të cilën dhe ju folët./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!