Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka deklaruar në prezantimin e Manifestit të Forumit të Gruas së Partisë Socialiste të Shqipërisë se është e rëndësishme që ky vend të shkojë përpara me fuqinë e gruas.
Ajo ka theksuar se rrugëtimi politik i grave në PS ka qenë i shtruar nga kryeministri Edi Rama, i cili që në kohën kur ishte kryebashkiak i Tiranës, 70% të ekipit e kishte gra.
“Ne kemi pasur fatin e madh se këtë rrugëtimin tonë të vështirë që është politika, e ka çarë Edi Rama. Në 2004, unë vendosa t’i bashkohesha Edi Ramës për vizionin e tij të madh për ndryshimin e Tiranës dhe në bashki punonin 70% gra në 2004 dhe nuk punonin thjesht për të mbushur pozicionin si specialiste, por ishin drejtuese, bashkia e Tiranës drejtohej nga dy nënkryetare gra.
Ndaj ky rrugëtimi ynë nuk ka qene i komplikuar, por i thjeshtë, pasi ne kemi pasur një udhëheqës vizionar që është Edi Rama. Rrugëtimi ynë politik ka qene i shtruar, ka qene një rrugëtim ku ne jemi ndjerë mirë. Askush nuk i beson ato përrallat e baltës, Edi Rama, dhunues i grave, askush nuk do harxhonte kohën ti analizonte ato, pasi ne jemi fakti që çfarë ka bërë Edi Rama dhe çfarë mund të bëjë ai për gratë.
Problemi është çfarë mund të bëjmë ne, me fuqinë që kemi në politikë. Sa e rëndësishme është që ne me forcën që na jep politika, të arrijmë të hyjmë në çdo shtëpi dhe t’i themi çdo gruaje që në qoftë se do të jetojë e lumtur, duhet të jetë e pavarur ekonomikisht”, u shpreh ndër të tjera Balluku./abcnews.al