Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu thekson se Shqipërisë do t’i duhen vite dhe breza të tërë që të anëtarësohet plotësisht në BE nëse vijon me këto ritme. Në intervistën për emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, ajo theksoi se zhvillimet që janë ndërmarrë drejt anëtarësimit janë të ndryshme, një pjesë e të cilave prej fajit tonë.
“Kemi ndryshuar të dyja palët, në 15 vitet e fundit BE ka kaluar nëpër një rreth ciklik krizash, gjë që herë pas herë i bëri të mendojnë më shumë për veten, që mbase mund të quhet egoiste, por nga ana tjetër edhe e kuptueshme, sepse në fund të ditës kur të kërcënohet bashkësia jote e parë, e ke më të vështirë për të menduar se si mund të përballosh zgjerimin e kësaj bashkësie. Si një familje europiane që gjithmonë u kërcënua me kriza të njëpasnjëshme.
Kemi ndryshuar edhe ne sepse në fillim, në ëndrrën dhe rrugëtimin tonë drejt Europës, ishim gati gati nën presionin duke ndërtuar një histori që ishte më shumë imagjinare, si ne e mendonim bashkimin me Europën, por që pak njihnim çarë detyrimesh do të sillte ky proces. Dhe sigurisht që kemi ndryshuar shpesh herë edhe për shkak se në momentet që Europa prezantonte një strategji apo kërkesë më të madhe llogarie e kishim të vështirë për t’u qasur drejt plotësimit të atij standardi të ri të kërkuar. Të gjithë kanë ndryshuar, edhe shoqëritë e vendeve anëtare të BE nuk janë më statike, ky nuk është një proces statik, çdo gjë ka ndryshuar me premtimin e para 20 viteve të samitit të Selanikut, dhe prej asaj dite i vetmi vend që arriti të jetë vend anëtar i BE nga Ballkani, është Kroacia. Ka ndryshuar koha e negocimit për të qenë një vend anëtar. Nëse Kroacisë iu deshën 6 vjet plus 2 për të bërë anëtarësimin e plotë, sot vendeve tona, konkretisht Shqipërisë, në rast se procesi do të vijojë me të njëjtat ritme që është sot do t’i duhen 125 vjet. Kjo do të thotë se është një jetë, breza të tërë. Ne që kishim ëndrrat më të mëdha, kishim imazhin më shumë ngjyra sa i përket pjesës së anëtarësimit, që ishim më shumë europianist se të tjerët para nesh, gjithmonë me dashuri të madhe për Europën. Jemi edhe sot e kësaj dite, dhe pavarësisht se jemi më shumë europianist jemi edhe më shumë kritikë, sepse jemi rritur të gjithë në këtë fazë të ndryshimeve.
Shqipëria nuk është ajo që ishte para 20 apo 25 viteve, kemi elementë, platforma, forume, ku jemi pjesë e një vendimmarrje të përbashkët, sikurse është NATO dhe ku Shqipëria nuk është më Shqipëria e kohës, kur ne na njihnin për imazhin që e bartnim nga historia. Po kështu edhe vende të tjera të rajonit. Ne nuk jemi atje ku ishim para 20 e sa vitesh. Sot shqiptarët janë pavarësisht se të ndarë në 4 shtete se këto janë gardhet që na u caktuan nga Kongresi i Berlinit, apo konferenca e Londrës, janë një komb që janë pjesë përbërëse. Ne të gjithë së bashku si komb sot, aq sa jemi të ndarë në 4 shtete në rajon jemi një zë shumë më i fuqishëm dhe kemi tjetër imazh edhe në BE. Pastaj pjesa se si jemi qasur dhe zhvillimet që kemi drejt anëtarësimit në BE, janë të ndryshme. Diku për fajin tonë, diku për vonesat tona që ia kemi shkaktuar vetes, diku edhe mbase kemi qenë më shumë vetë ngacmues me njëri tjetrin, por diku edhe sepse jemi pak më vonë se vendet e tjera në këtë cikël historik.“, theksoi Bregu./abcnews.al